Italia do të mbyllë të gjitha dyqanet, kafenetë, restorantet…

Italia do të mbyllë të gjitha dyqanet, kafenetë, restorantet dhe aktivitetet kryesore tregtare, përveç shërbimeve themelore, në përpjekjen e saj për të frenuar përhapjen e koronavirusit, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, bëri njoftimin mbrëmë vonë në një fjalim para kombit pasi numri i vdekjeve nga virusi u rrit për 196 në vetëm 24 orë, duke e çuar në 827 numrin e përgjithshëm, me gjithsej 10.590 raste të konfirmuara në vendin më të goditur në Evropë.

Conte tha se kufizimet e reja do të vendosen në nivel kombëtar për të paktën dy javë, pas çka do të vlerësohen efektet kryesore të masave të reja.

“Ne do të mund t’i shohim efektet e kësaj përpjekjeje të madhe brenda dy javësh”, tha ai, duke shtuar se kjo sakrificë nga të gjithë italianët ishte çelësi për të ardhmen e vendit.

“Kjo është koha për të ndërmarrë një hap të mëtejshëm”, shtoi Conte, duke mos përjashtuar edhe kufizime të tjera.

Kryeministri italian saktësoi se të gjitha dyqanet do të mbyllen me përjashtim të supermarketeve dhe farmacive. Të gjitha kafenetë dhe restorantet gjithashtu do të jenë të mbyllura, ndërsa kompanitë do të kenë mundësi të vazhdojnë aktivitetet e tyre vetëm nëse aplikojnë protokolle specifike të sigurisë për të mbrojtur punonjësit e tyre.

Megjithatë, Conte tha se shërbimet thelbësore do të vazhdojnë, përfshirë transportin, sektorin bankar, sigurimet si dhe aktivitetet bujqësore.

“Ne duhet të qëndrojmë larg njëri-tjetrit tani që të mund të përqafohemi më pas. Të gjithë së bashku do t’ia dalim”, u shpreh ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button