Berisha: Marrëveshja e Ohrit është harruar

Kryeministri shqiptar Sali Berisha ka theksuar se ndjen keqardhje që Marrëveshja e Ohrit akoma nuk është zbatuar dhe ajo sot është harruar fare.

“Në vitin 2001 u zhvillua një luftë në territore të gjera të Maqedonisë dhe u arrit në një marrëveshje ndërkombëtare, që njihet si Marrëveshja e Ohrit. 

Ne e përshëndetëm këtë Marrëveshje në mënyrën më të vendosur e të bindur se ajo, e zbatuar, do të japë paqe e stabilitet në Republikën mike të Maqedonisë. Por cila është situata sot? Ka një progres të padiskutueshëm në zbatimin e Marrëveshjes, sikundër ka mangësi të pajustifikueshme në zbatimin e saj. Dëgjoni të flitet më për këtë Marrëveshje në rrafshin ndërkombëtar? Është harruar fare. Gabim shumë i madh. 

Në qoftë se ajo harrohet, ju garantoj se rryma tjetër, që thotë se ajo është tejkaluar, do të arrijë gradualisht të bindë njerëzit se ajo nuk është më e vlefshme. A kemi një rrymë në forcat politike shqiptare në Maqedoni që thonë se Marrëveshja nuk ka më vlerë, se është tejkaluar? Sigurisht kemi”, ka theksuar kryeministri Berisha.

Ai ka thënë se mendon se Marrëveshja duhet zbatuar për të garantuar paqen dhe stabilitetin në Maqedoni. “Unë nuk e kam ndryshuar mendimin tim se ajo Marrëveshje ishte një dokument i shkëlqyer, për të garantuar paqen e stabilitetin në Maqedoni.

Ndjej keqardhje se ajo nuk citohet më”, ka theksuar Berisha, duke komentuar zërat rreth përhapjes së fenomenit të albanofobisë tek qarqet e rajonit.

“Albanofobia është apeli im ndaj faktorit ndërkombëtar. Ajo detyrimisht duhet të merret parasysh e duhet të luftohet, sepse ajo është realitet. Unë besoj se projekti evropian është projekti që realizon bashkimin e shqiptarëve, që i bën kufijtë të parëndësishëm, është projekti që shkrin albanofobinë e trashëguar ndaj tyre.

Sikundër besoj se vizatimi i kufijve tani nuk përbën interesin e shqiptarëve. Kemi humbur shumë territore dhe nuk duhet të humbim tani, as edhe një metër katror. 

Ndaj edhe motoja është: Të bashkohemi me njëri-tjetrin, të bashkohemi me Evropën. Nuk mund të paragjykojmë se si do të ndjehen shqiptarët e bashkuar në Evropë.

Ne besojmë projektin evropian dhe kjo është e vërteta”, ka nënvizuar Berisha duke shtuar se shqiptarët kanë shumë punë për të bërë, duke nisur me abetaren dhe se janë në proces e sipër mijëra procese e akte që duhet të realizohet

Lajme të ngjashme

Back to top button