Paralelet shqipe të Lisiçes, dalin në rrugë!

Nëse nuk zgjidhet çështja e paraleleve me mësim në gjuhën shqipe të shkollës fillore ‘Goce Dellçev’ në Lisiçe të Shkupit, deri në fund të këtij viti, ka gjasa të protestohet, thotë Nuredin Bekteshi, Kryetar i këshillit të prindërve shqiptarë.

‘Momentalisht nuk ka asgjë të re, çështja e kësaj pune është edhe më keq se që ka qenë në fillim. Momentalisht s’kemi asnjë informacion as prej zëvendës ministrit, as prej drejtorit të shkollës e as prej kryetarit të Komunës Aerodrom. Do të kërkojmë takim sërish me zëvendës ministrin, në të kundërtën gjysmë vjetorin e dytë të dalim në protesta. Të shohim çfarë janë premtimet e tij, nëse ai diçka nuk na premton do të shkojmë në protesta’,tha Bekteshi.

Bekteshi gjithashtu tha se para dy javësh kishin kërkuar takim me zëvendësministrin e arsimit Safet Neziri, dhe kjo nuk u realizua.

‘Kërkuam takim para dy javësh, ai na tha se është i zënë dhe nuk u takuam, dhe ende s’jemi organizuar me Këshillin që të kërkojmë takim të radhës’ tha Bekteshi.

Ndryshe, problemi i paraleleve shqipe të kësaj lagje shpërtheu në fillim të këtij viti shkollor kur kreu i Komunës Aerodrom kishte vendosur që tre paralelet shqiptare edhe atë klasa e parë, e dytë dhe e tretë të bashkohen në një paralele me 32 nxënës.

Në shtator Safet Neziri, prindërve të kësaj ane u ka premtuar se problemi do të zgjidhet gjysmë vjetorin e dytë./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button