SHBA, diskutimet për paktin fiskal

Të eklipsuar në media nga masakra e Sandy Hook, senatorët dhe kongresmenët amerikanë vijojnë diskutimet e ethshme për të gjetur gjuhën e përbashkët mbi politikat fiskale, që rrezikojnë të kthejnë ekonominë amerikane në reçesion. 

Senati, i udhëhequr nga demokratët pritet të zhvillojë një tjetër takim dy ditë pas Krishtlindjeve pikërisht për cështjen në fjalë. 

Presidenti Barak Obama dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Xhon Boehner e diskutuan në fundjavë edhe një herë në Shtëpinë e Bardhë. 

Për Boehnerin kjo ishte vizita e dytë brenda 7 ditëve në Shtëpinë e Bardhe. Takimi zgjati 50 minuta, por ende nuk ka shenja progresi në një kohë kur gremina fiskale po afron. Bisedimet u përshkruan nga të dyja palët si të sinqerta dhe një zyrtar i administratës deklaroi se linjat e komunikimit mes tyre mbeten të hapura.

Një ngritje prej 600 miliardë dollarësh në taksa dhe shkurtime shpenzimesh do të hyjë në fuqi më 1 janar, nëse nuk miratohet një ligj që do të nënshkruhej nga presidenti për ta shmangur atë. As administrata demokrate Obama as republikanët e lartë në Kongres nuk kanë dhënë shenja se janë të gatshëm për lëshime. 

Shtëpia e Bardhë këmbëngul në ngritjet e taksave për amerikanët e pasur për të ndihmuar në uljen e borxhit të vendit, çështje kjo qe nuk gjen miratimin e republikanëve. Boehner refuzoi kërkesën e Obamës për rritjen e kufirit të borxhit, e deklaroi se presidenti nuk ishte aspak serioz në lidhje me arritjen e një marrëveshjeje të balancuar falë lëshimeve nga të dyja palët. 

Rritja e taksave në fund të vitit dhe shkurtimet e thella të shpenzimeve mund ta dëmtojnë ekonominë e brishtë amerikane nëse hyjnë në fuqi. Por ligjvënësit janë tani më të shqetësuar nga fakti që ka mbetur vetëm pak kohë për vulosjen e paktit dhe kompromisi duket i largët.

Lajme të ngjashme

Back to top button