Berisha: Shqipëria nuk ka pretendime territoriale me Greqinë

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, zhvilloi dje pasdite një bashkëbisedim me gazetarët duke iu përgjigjur interesit të tyre mbi çështje aktuale që kanë ngjallur debate në arenën politike shqiptare e më gjerë.

Berisha vlerësoi se skema e heqjes së taksës ndaj biznesit të vogël dhe premtimet për punësim se janë skema tipike socialiste.

“Dëgjova 2 ditë më parë që tha se, ‘ne socialistët do sjellim rritje përmes punësimit’. Të dashur miq, kjo është skema tipike e socializmit, i cili kaloi në të gjitha rrathët e varfërisë deri në mjerimin ekstrem”, tha Berisha, raporton BW.

I pyetur rreth rezolutës çame e cila nuk u mor në shqyrtim sot në Parlament, kryeministri Sali Berisha tha se në Kuvend do të shqyrtohen çdo lloj dokumentesh që do të paraqiten.

“Aleati im ka paraqitur një rezolutë. Parlamenti është institucion që ka komisione, ka një komision të jashtëm e etj dhe do shqyrtojë e vlerësojë rezolutën mbi bazën e këtij qëndrimi të mazhorancës ndaj kësaj çështje. Është mazhoranca e PD që ka kaluar një ligj në parlament dhe disa veprime të tjera. Ndaj dhe pa ndonjë lloj forme presioni nga askush, ne në parlament do shqyrtojmë çdo lloj dokumenti të paraqitur”.

Berisha gjeti rastin të kujtojë se ka qenë PD që ka hedhur hapat e para për zgjidhjen e çështjes çame.

“Natyrisht dua të them këtu se kjo nuk bëhet nga një mazhorancë, asnjë forcë politike, kundrejt asnjë lloj forme presioni. Absolutisht, duhet të theksojmë se çështjen çame, së bashku me mikun tim të ndjerë Gramoz Pashko dhe 2 bashkëpunëtorë tanë e kemi ngritur për herë të parë në janar të vitit 1991. Kur kryeministri i Greqisë, Micotaqis u bë kryeministri i parë i një vendi të lirë që takoi opozitën shqiptare, na ftoi në takim në hotel Dajti dhe në atë takim, një ndër problemet që ne shtruam ishte problemi çam. I thamë se ne kemi çështjen kombëtare, ai tha kam çështjen gjeologjike. Kjo çështje është ngritur në të gjitha takimet pa përjashtim, në qeveri apo opozitë nga kryetari i PD, me autoritetet më të larta të vendit mik me të cilët është takuar. Kjo çështje pas një seri diskutimesh të saj në një seri takimesh ku Shqipëria ka bërë të qartë se Shqipëria nuk ka pretendim territorial ndaj Greqisë”.

Më tej Berisha sqaroi se “ në traktatin e miqësisë së firmosur mes meje si president në ‘95 dhe Stefanopolus, ka një klauzolë, në të cilën thuhet se çështjet e pronësisë së shqiptarëve, dhe të grekëve në Shqipëri janë çështje juridiko- teknike dhe do zgjidhen mbi bazën e këtyre procedurave. Për fat të keq kjo çështje mbeti në vend numëro. Duhet të krijoheshin komisione dhe ramë dakort që të bëheshin komisione. Kështu që ky problem është shtruar, problemi nuk ka marrë zgjidhje në një periudhë të caktuar, pretendohej se çamët ishin kolaboracionistë. Kjo ishte akuzë monstruoze”

Berisha vuri në dukje se mes Greqisë dhe Shqipërisë nuk ka asnjë problem të pazgjidhur territorial.

“Nuk ka problem territorial mes 2 vendeve, ka një traktat miqësie ku ata njohin kufijtë. Traktati bën një mundësi të shkëlqyer për të zgjidhur një problem, sa më shumë konsolidohet liria aq më shumë kërkohet zgjidhja”, tha ai./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button