Ka gjasa të mëdha të kem biseduar me atë, u përgjigj Xhaferi në lidhje me bisedën me Mijallkovin për rastin “Monstra”

Për ngjarjen jam informuar nga kolegët, të njëjtën ditë, por nuk më kujtohet se në sa ora. Kështu e filloi dëshminë e tij për rastin “Monstra”, ish zv/kryeministri për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi, njofton Portalb.mk.

Prokurori Gavrill Bubevski e pyeti nëse për vrasjen ka komunikuar me ish shefin e Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov.

“Po ka gjasa të mëdha të kem komunikuar me atë. Kam biseduar që të informohem për ngjarjen, e cila ishte shumë sensitive dhe kam qenë i vetëdijshëm se çfarë pozite ka pasur Mijallkovi”, tha Xhaferi.

Prokurori e pyeti dhe nëse i kujtohet biseda me bashkëpartiakun e tij, ministrin e Drejtësisë, Blerim Bexheti për Haki Azirin, njërin prej të akuzuarve?

“Kam biseduar në përgjithësi për tërë ngjarjen. Nuk do të doja të flas me hamendje, kështu që nëse dëshironi të pyetni diçka konkrete, lirisht”, tha Xhaferi.

Atëherë Bubevski ia lexoi bisedën që e ka bërë me Bexhetin më 3 maj të vitit 2012-të, në të cilën diskutojnë për atë se ku është Haki Aziri, të cilin MPB e përgatiste për dëshmitarë të mbrojtur, por më vonë ndryshoi mendje, dhe për këtë Prokuroria e ngarkoi me akuzë.

“Atëherë kishte shumë paqartësi, në lidhje me atë se si udhëhiqen procedurat. Ishim të shqetësuar si funksionarë politik. Se si të menaxhohet tërë situata që të mos ketë tensione ndëretnike dhe ndërfetare në Shkup dhe përreth. Shqetësimi im ishte në pikëpamje të asaj që të dihet për fatin e personave të cilët janë paraburgosur gjatë asaj kohej”, tha Xhaferi.

Ai shtoi se aq sa i kujtohet, nuk ka pasur kontakt me familjarët e të akuzuarve.

Prokurori atëherë i lexoi edhe një bisedë të cilën e ka pasur me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, edhe atë më 7 maj të vitit 2012-të ose një muaj të paplotë pas vrasjes së pesëfishtë. Në bisedë Xhaferi i thotë Ahmetit se do të ketë probleme dhe se familja e të akuzuarve ka dërguar ndërmjetësues.

“Aq sa më kujtohet nuk kam pasur kontakt me familjarët. Kur flasim për ndërmjetësues mendoj në bashkëpartiakët dhe kolegët të cilët kanë qenë në Qeveri. Dëshiroj të më kuptoni mirë. Ndaj bashkëpartiakëve tanë nga BDI ka mundur të ketë ndonjë emisar prej të cilëve kam kuptuar diçka”, tha Xhaferi.

Ai u pyet se prej nga e njeh Fejzi Azirin?

Fejzi Aziri ishte aktivist dhe aktiv në takime të ndryshme. Por prej atëherë kanë kaluar shumë kohë dhe nuk më kujtohet ndonjë aktivitet të cilën e ka organizuar në partinë tonë politike”, tha Xhaferi.

Thirrja ish funksionarëve të lartë të qeverisë me të cilën ka udhëhequr Nikolla Gruevski, vijon pasi që palët në gjykim kanë dyshime se pushteti ka qenë i përzier në këtë rast ku u vranë në mënyrë mizore 4 djelmosha të rinj dhe një peshkatar.

Në seancën e kaluar kanë dëshmuar, ish shefi i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov dhe ish këshilltari për siguri i presidentit Gjorge Ivanov, Sinisha Aleksovski.

“Monstra”

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit 2017 solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegjësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovë”.

Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq
Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë në Maqedoni nuk mbajnë.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim.

LEXO:  DOSJE “Monstra”: Vrasja e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës të Shkupit

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button