Kurti: Nepotizmi, prioritet i Qeverisë

Lideri i “Vetëvendosjes” është shprehur të hënën i bindur se nepotizmi ka prekur majat e Qeverisë së Kosovës dhe se sipas tij, “ky është një ekzekutiv që në njërën anë bën pazare me Serbinë, kurse në anën tjetër e ka prioritet nepotizmin”.

Kritikat e fundit në adresë të ekzekutivit të vendit, Kurti i ka bërë në Shtëpinë e Kulturës “Tahir Sinani” në Lipjan sot pasdite, ndërsa është shoqëruar nga Rexhep Selimi dhe Elis Hoxha, ligjërues në Universitetin e Tiranës.

“Siç edhe kanë treguar përgjimet telefonike shihet se nepotizmi ka përfshirë edhe majat e kësaj Qeverie, e cila në njërën anë bën pazare me Serbinë për tokën dhe funksionimin e shtetit tonë, e në anën tjetër e ka prioritet nepotizmin, sepse dihet se pos punësimit, tenderët dhe shitja e pasurive publike po bëhet për interesin e tyre privat”, ka thënë Kurti.

Ai para lipjanasve të cilët ishin mbledhur në sallën kulturore të ftohtë, ka qenë i prerë në mendimin se me këtë Qeveri dhe me këtë qeverisje nuk do të ketë ditë të mira për vendin.

“Nuk mund të kemi ditë të mira me një Qeveri kaq të keqe e me një këso qeverisjeje e cila nuk e ka fare për bazë arsyen e shëndoshë dhe aq më pak interesin e qytetarëve. Qeveritarët po e vjedhin Kosovën e po pasurohen, kurse shteti po varfërohet. Ndaj, shumica e qytetarëve po zhyten në një mjerim social duke vuajtur pasojat e stagnimit të Kosovës”, është shprehur ai, transmeton Koha.net.

Kurse për krijimin e një “UÇK – Qeverie” të re ka folur edhe Rexhep Selimi. Ai është ndalur te kjo çështje, ndërsa ka bashkëbiseduar me lipjanasit edhe për negociatat dhe dëmin e tyre. “Unë do ta pranoja çdo qeveri të UÇK-së në qoftë se ajo qeveri nuk do të shkëputej nga projekti i UÇK-së, kurse ky projekt nuk ishte të negociohej me Serbinë për fatin tonë”, ka thënë Selimi.

Kurse, ligjëruesi tiranas, Elis Hoxha, duke u ndalur të festa e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë ka shtuar se ajo festë do të duhej të mbahej në Prizren për të shprehur më mirë vullnetin për bashkim kombëtar. Edhe ky i fundit negociatat politike me Serbinë i ka parë si mjaft të dëmshme për Kosovën, ndërsa ka vlerësuar se Evropa me këtë rast po tenton të kthehet në vitin 1913. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button