BALONAT E SHFRYRË

Kemi pasur shpresa të mëdha se pas zgjedhjeve që do të mbahen sivjet do të kemi ndryshime kah e mbara. Përgatitjet për zgjedhje dhe fushatat e partive që te ne zakonisht janë “të nxehta” sivjet u shfrynë si balona të shpuara nga virusi kovid 19 i njohur si koronavirus. Edhe shikimi i njerëzve drejt të ardhmes politike të vendit sivjet është disi si me bisht të syrit. Jo që nuk duan ta debatojnë. Qytetarët këto ditët e fundit e kanë lënë në plan të dytë politikën dhe tërë seriozitetin e kanë përqendruar te korona. Ata prej dite në ditë ata i sheh rrallë e më rrallë nëpër vende publike. Kopshtet dhe çerdhet e fëmijëve janë gjysmë të zbrazura. Edhe ndonjë ditë nëpër staiume futbolli mund të luhet pa publik. Në shfaqje të shkojë i rralli.

Po na tmerron stuhia e befasishme e ndjenjës së pasigurisë e cila vjen si baticë me një shpejtësi të madhe. Ajo me një forcë të paparë e pushton njeriun e zakonshëm i cili orë e ças bombardohet me  lajme e debate televizive për virusin kovid 19 të njohur më shumë si korona virus. Virus i panjohur që përhapet me shpejtësi dhe po pushton botën. Kështu ai po i kanoset njeriut duke gjetur shtigje gjithandej për të depërtuar në çdo vend, në çdo qytet e në çdo fshat. Prandaj   po bie interesimi pas zgjedhjeve, siç ka qenë zakon në zgjedhjet e mëparme. As Kongresi i LSDM-së nuk bëri ndonjë bujë, po as vizita të cilën Mickovski ia bëri Orbanit. Të gjitha këto që do të kishin qenë lajme numër e me të cilat njerëzit do të kalonin net të këndshme, tash po kalojnë si në gjysmë heshtjeje. As gazetarët simpatizues të partive politike nuk punojnë me zjarrmi profesionale sepse kanë droje nga zjarrmia që, mos e dhashtë perëndia, mund “të na vizitojë” me zgjerimin e koronës.

Lajmet për koronën më duken si gogol i vendosur midis arave me misër. Duken të llahtarshme, por, megjithatë,  të parrezikshme, sepse jemi njerëz e mendja na thotë se “te ne nuk do të vijë” virusi i mallkuar. Dhe, na pëlqejnë deklaratat e mjekëve dhe të politikanëve që thonë se vend për panik nuk ka. Por… Por kur e kemi parasysh numrin e njerëzve të sëmurë në botë nga ky virus, atëherë më mirë na del të jemi të kujdesshëm dhe t’u përmbahemi porosive të mjekëve për parandalimin e sëmundjes. Kjo nënkupton, në radhë të parë mbajtjen e higjienës personale, të shtëpive tona dhe mbikëqyrjen e fëmijëve. Fëmijët këto ditë duhet t’i mbajmë më larg nga vendet publike, ndeshje të ndryshme sportive, shfaqje të ndryshme, koncerte… Duhet ta ruajmë veten ngase ky virus po dëshmon se nuk është shaka.

Nuk ndjehemi mirë pse muhabetet për zgjedhjet paraprake kanë mbetur në plan të dytë, por çfarë t’i bësh, kjo stuhi frike që e ngriti korona është më e fuqishme. Nuk na bën sivjet për vete aq shumë fushata parazgjedhore. Edhe imazhet e zgjedhjeve të kaluara i kemi ende të freskëta, ato na tërheqin, ato i kemi të pranishme në çdo ndeje dhe do të kishim dashur të argëtohemi edhe sivjet me to, sepse ne zgjedhjet i marrim me zemër si dashamirët e sportit – garat sportive. Por sa ta nisë dikush muhabetin për zgjedhjet, tjetri ta le fjalinë pa e mbaruar dhe del te korona. Na vjen keq që nuk u përsërit kënaqësia që e shkaktojnë garat zgjedhore ku çdokush i ka llogaritë e veta, çdokush e ka favoritin e vet e çdokush është i bindur se kundërshtari i tij do të jetë humbës i sigurt.

Megjithatë mendoj se kujdesi për veten, që mos të ballafaqohemi me përhapjen e këtij virusi, është prioritet.

.Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button