A mundet disfata të jetë fitore?

Këshilli i Ministrave të Punëve të Jashtme të Komisionit Evropian i shkaktoi  disfatën e radhës diplomacisë së Maqedonisë duke mos i caktuar serish Shkupit datë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në komunikatën e Brukselit shkruhet se Komisioni Evropian në pranverë do të kontrollojë nëse Maqedonia ka zgjidhur problemin me emrin që ka me Greqinë dhe në bazë të kësaj do ta rekomandojë atë për të filluar negociatat në qershor.

Lajmi nga Brukseli, në Shkup ka hasur interpretime të ndryshme nga qeveria dhe opozita. Qeveria vlerëson se ky është raporti më i favorshëm nga Brukseli, edhe pse janë të zhgënjyer  nga “padrejtësia” shkaktuar Maqedonisë, ndërsa opozita beson se dështimi në Bruksel është edhe një konfirmim plotësues se qeveria aktuale nuk ka zgjidhje për të zhbllokuar proceset euro-integruese.

“Rasti i Maqedonisë tregon se nuk mund të bëheni pjesë e klubit evropian nëse fqinjët kanë ndonjë vërejtje për ju”

Pavarësisht se si interpretohet deklarata e Këshillit të BE-së, është fakt se Maqedonia nuk mori datë për negociata dhe se kushtëzimi i heshtur –kundërshtimi grek për emrin e Maqedonisë – u bë qëndrimi zyrtar i Bashkimit Evropian dhe u përfshi në deklaratën e tyre zyrtare. Ministri i jashtëm grek Dimitris Avramopuolos ishte i kënaqur me vendimin nga Brukseli, sidomos për faktin se vetoja e Greqisë dhe zyrtarisht u bë politikë e BE-së.

Por kjo nuk është problem i vetëm për Maqedoninë në Bruksel. U shtua edhe një kusht i ri për fillimin e negociatave me Brukselin, e ky është të ketë marrëdhënie të mira fqinjësore me Bullgarinë. Jashtë loje mbeten vetëm kushtëzimet e fqinjëve tjerë të Maqedonisë, të Serbisë dhe Shqipërisë, jo sepse Beogradi dhe Tirana nuk do të kishin dorëzuar kërkesat e tyre, por vetëm për shkak se ata nuk janë anëtarë të BE-së. Kjo do të thotë se në të ardhmen, nëse nuk ka zgjidhje, nëse politika e zgjerimit të BE-së vazhdon, kushtet për anëtarësimin e Maqedonisë do të shumëzohen. Ka kohë që për të filluar negociatat nuk është e mjaftueshme vetëm të përmbushen kriteret e Kopenhagës. Rasti i Maqedonisë tregon se nuk mund të bëheni pjesë e klubit evropian nëse fqinjët kanë ndonjë vërejtje për ju.

Asnjë mundësi minimale
Shkupi zyrtar priti një farë baj-pasi nëpërmjet së cilit KE do të kishte zhbllokuar veton greke të cilën Athina po e përdor katër vite rresht në drejtim të hapjes së kushtëzuar të bisedimeve, me një klauzolë ku do të thuhej se negociatat do të bllokohen nëse Maqedonia dhe Greqia brenda gjashtë muajve nuk kanë gjetur zgjidhje për emrin.

Kjo do të thotë se Maqedonisë do t’i ishte dhënë mundësia të negociojë me Greqinë në një kornizë kohore shumë të limituar dhe në pozitë të pabarabartë, sepse në qoftë se negociatat dështojnë, Athina nuk do të kishte humbur asgjë, kështu që, procesi i negociatave do të ishte mjaftë i çekuilibruar që nga fillimi. Por, as edhe kjo mundësi minimale nuk iu dha Maqedonisë. Partia në pushtet VMRO-DPMNE, shprehi keqardhje për “padrejtësitë e reja” të cilat ia bëri Evropa Maqedonisë, ndërsa “padrejtësia” ishte argumenti kyç në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë.

“Më e çuditshme nga gjithë kjo situatë është se disfata spektakolare e diplomacisë maqedonase jashtë vendit, po përforcon Qeverinë e Nikolla Gruevskit brenda në vend”

Më e çuditshme nga gjithë kjo situatë është se disfata spektakolare e diplomacisë maqedonase jashtë vendit, po përforcon Qeverinë e Nikolla Gruevskit brenda në vend. Menjëherë pas vetos greke në Bukuresht, ku në anën e Maqedonisë ishte Amerika e plotfuqishme me deklaratën e ish presidenti amerikan George W. Bush se në këtë Samit, Maqedonia së bashku me Kroacinë dhe Shqipërinë do të bëhen anëtare të NATO-s, kryeministri Gruevski  shpalli zgjedhje të parakohshme.

Hidhërimi nga “padrejtësia” dhe frustrimi i popullatës i sollën VMRO-DPMNE-së  fitoren më të madhe në historinë e tyre, pavarësisht disfatës diplomatike. Në fakt, janë disfatat ato që ndihmojnë Gruevskin në skenën e brendshme politike, sepse e legjitimojnë atë si një hero i cili refuzon të bëjë kompromise dhe pazarllëqe për identitetin dhe dinjitetin maqedonas. Nga vjen ky vullnet i Maqedonasve të lavdërojnë dhe shpërblejnë disfatat?

Recetë për vetëvrasje
Bëhet fjalë për psikologjinë kolektive të këtij kombi, ku fëmijët që në shkolla i mësojnë se Maqedonia është e ndarë padrejtësisht me Traktatin e Bukureshtit të vitit 1913. Koncepti “Padrejtësi” është i rrënjosur thellë në historinë e Maqedonisë, folklor, traditë… Vetoja në Bukuresht kishte simbolikë të dyfishtë të padrejtësisë sepse u përsërit “vendi i krimit”. Sinonim për luftën dhe mbijetesën e Maqedonisë është padrejtësia. Në këtë kontekst, garnitura politike e cila e servon disfatën të mbështjellë me ndjenjën e padrejtësisë së kryer kundrejt popullit maqedonas fiton një legjitimitet pervers të një heroi.

Nëse lexohet deklarata e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë dhe nëse dëgjohet konferenca për shtyp e partisë në pushtet, referenca kryesore për atë që ndodhi në Bruksel është padrejtësia. Por në qoftë se padrejtësia mund të përdoret si një manipulim për të fituar zgjedhjet, me të, për fat të keq, nuk mund të fitohet perspektiva dhe ardhmëria.  Çfarë alternative i mundëson Maqedonisë Qeveria aktuale, përveç disa “mundësive” që ata të cilët kanë kryer padrejtësinë të  pendohen?

“Garnitura politike e cila e servon disfatën të mbështjellë me ndjenjën e padrejtësisë së kryer kundrejt popullit maqedonas fiton një legjitimitet pervers të një heroi”

Përdorimi i “konceptit të krishterë” në diplomaci dhe të shpresuarit se dikush do të pendohet, pa strategji rezervë se si Maqedonia të luftojë për perspektivën e vet, është një recetë për vetëvrasjen e një kombi. Në politikën ndërkombëtare gjithnjë kanë dominuar interesi dhe pragmatizmi. Maqedonia duhet të luftojnë për interesin e saj, e ai është anëtarësimi në BE dhe NATO, ky paraqet një garanci shtesë për sigurinë dhe integritetin territorial të Maqedonisë. Ky është interesi i Maqedonisë, ndërsa politikanët duhet ta plotësojnë.

Qeveria dhe qytetarët e Maqedonisë duhet të ndalen së ushqyeri me padrejtësi.  Në historinë e re të diplomacisë jemi dëshmitar të paqes së padrejtë, marrëveshjeve të padrejta dhe kompromiseve të padrejta dhe joparimore, por e përbashkëta për të gjithë ata është se sigurojnë kushte që jeta të vazhdojë më tej. Zgjidhja e padrejtë e një problemi, megjithatë është më mirë se moszgjidhja e tij. Ky është realiteti cinik të cilit Maqedonia duhet t’i përshtatet nëse dëshiron të luftojë për mbijetesën dhe  prosperitetin e saj.

Al Jazeera Balkans

Lajme të ngjashme

Back to top button