LSDM: VMRO manipulon, mos sjellja e buxhetit nuk ndalon pensionet dhe ndihmat sociale

LSDM e Branko Cërvenkovskit ka akuzuar sot VMRO-në se po manipulon me opinionin për sa i përket pasojave nga mos miratimi i buxhetit deri më 31 dhjetor. Sipas koordinatorit të grupit parlamentar të LSDM-së, Igor Ivanovski, praktika e vitit 2003, kur kishte një situatë të ngjashme në Maqedoni, gjegjësisht mosmiratim të buxhetit deri në mars, dëshmon se shteti mund të funksionojë 3 muaj pa buxhet, pa asnjë pengesë në financa.

“Nuk është e vërtetë ajo që manipulon VMRO opinionin, se gjoja nëse nuk ka buxhet nuk do të ketë pensione, ndihma sociale dhe paga. Një praktikë të tillë e kishim në vitin 2003 kur për shkak të zgjedhjeve qeveria nuk ishte në mundësi të sjell buxhetin, i cili u soll më 27 mars 2003, por gjatë kësaj kohe nuk kishte ndalësë as të pagave, as të pensioneve, as të ndihmave sociale” – tha Ivanovski.

Në Kuvend po zgjat koordinimi maratonik mes grupeve parlamentare për gjetjen e zgjidhjes për sjelljen e buxhetit deri më 31 dhjetor të këtij viti. Sipas të dhënave të para nga koordinimi, deputetët janë akoma larg zgjidhjes./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button