Zeqiri: Nuk ka buxhet nëse nuk ka para për shqiptarët

Deputeti i Rilindjes Demokratike Kombëtare Izet Zeqiri dhe një herë ka konfirmuar sot se nuk do të tërheqin amendamentet nëse nuk ndahen para për projektet shqiptare, pavarësisht marrëveshjeve mes partive tjera.
 
“Ne si RDK mendojmë se është i kotë defokusimi i opinionit se gjoja buxheti varet vetëm nga LSDM. Buxheti i Republikës së Maqedonisë varet nga RDK me 400 amendamente të palexuara dhe të padiskutuara. Ne ju paralajmërojmë edhe njëherë ju përkujtojmë se asnjë germë nga amendamentet tona nuk do të tërheqim, por ne me amendamentet tona kërkojmë mbi 85 milion euro pozicione të buxhetit me të cilën do të realizohen investimet në sfera të ndryshme në Maqedoninë veriperëndiomore. Edhe një herë përsërisim, RDK kërkon zërat e buxhetit që kanë të bëjnë me të drejtat që janë të përfshira në nenin 11 në Ligjin për marrëdhënie midis bashkësive të sillen me Badenter, në atë mënyrë se nuk ka të drejta për shqiptarët pa para, prandaj është i kotë gjithë ky buxhet nëse për ato të drejta nuk parashihen zëra të buxhetit dhe para për realizimin e tyre” – tha Zeqiri.

Ai deklaroi sot se i kotë është koordinimi mes kryetarit të Kuvendit dhe koordinatorëve të grupeve parlamentare për buxhetin, pasi pavarësisht rezultatit nga ky koordinim, RDK nuk do të lëshojë pe.

“Kryetari i Parlamentit i ka të kota marrëveshjet me koordinatorët, kryetari i Parlamentit duhet të na thërret neve të RDK-së që të diskutojmë për buxhetin. VMRO DPMNE dhe BDI duhet të hynë në negociata me ne dhe të ofrojnë para për realizimin e të drejtave të shqiptarëve, sepse në pesë vitet e fundit buxhetit pjesërisht pothuajse aspak nuk janë realizuar ato pozicione, ato projekte të cilat janë shkruar në buxhet” – deklaroi Zeqiri.

Në Kuvend po zgjat koordinimi maratonik mes koordinatorëve të grupeve parlamentare në tentim për të zhbllokuar sjelljen e buxhetit. Në këtë koordinim nuk marrin pjesë përfaqësues të RDK-së dhe PDSH-së, të cilët së bashku kanë afër 600 amendamente./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button