RDK: Politikat e dështuara qeveritare sollën problemet në shëndetësi

Gjendja jo e mirë e ambienteve të spitaleve publike, me të cilat ndeshen pacientët çdo ditë demantojnë pretendimet për reformat e mëdha që janë pjesë e propagandës qeveritare. Kështu ka reaguar sot, Rilindja Demokratike Kombëtare duke theksuar se reklamat qeveritare shpesh përdoren për ta mbuluar atë se çfarë ndodh vërtetë në shëndetësi.

“Vazhdimi i mossjelljes në Maqedoni të PET-skenit, edhe më shumë se pesë vjet pas premtimit të tij të parë, pagat e ulta të mjekëve specialistë dhe subspecialistë në shëndetësinë publike, me 10 dhe 12 vjet shkollim, nuk janë as sa gjysma e rrogave të gjykatësve me shkollim katërvjeçar. Mosrealizimi i premtimeve të vazhdueshme për rritjen e rrogave të mjekëve, ka ardhur edhe si pasojë e koncentrimit të parave publike në ‘varrin fiskal’ të buxhetit, përmendoret e projektit ‘Shkupi 2014’. 

Meqë një kujdestari e specialistit në Qendrën Klinike të Prishtinës, në Republikën e Kosovës që konsiderohet si vendi më i varfër në Evropë, paguhet 50 euro për ditë të rregullta pune dhe 115 euro për të shtunat, ndërsa në Maqedoni paguhet vetëm 22 euro edhe për ditët e rregullta edhe për të shtunat” ka reaguar sot partia e Rufi Osmanit.

RDK konsideron se gjendja në shëndetësi nuk mund të përmirësohet me nxitjen e opinionit publik dhe të pacientëve kundër mjekëve e as me imponimin e projekteve të kundërshtuara nga rreth 95% e mjekëve – projekte këto që i trajtojnë pacientët vetëm si numra që duhen realizuar nga mjekët e jo si pacientë që kërkojnë shërbime cilësore.

“Shëndetësia në Maqedoni vazhdon të vuajë edhe më tej nga vënia në krye të saj e njerëzve të sapo dalë nga bankat e shkollës, të cilët nuk kanë përvojën e duhur dhe nuk tregojnë përgjegjësinë e kërkuar. Kontributi më i madh që politika i ka dhënë shëndetësisë viteve të fundit ka qenë partizimi i saj me drejtorë politik dhe punësimet partiake në shëndetësi” thekson RDK duke vërë në spikamë faktin se dekadën e fundit është bërë një koncentrimi i madh i kapitalit në spitalet e mëdha private, të cilat për fat të keq janë me personel pothuajse tërësisht monoetnik.

“Shifrat e publikuara tregojnë se shqiptarët në shëndetësinë publike janë të përfaqësuar vetëm me 11%. Kjo shifër realisht do të ishte edhe më e vogël nëse një pjesë e madhe e personelit mjekësor joshqiptar nuk do të ishte larguar nga shëndetësia publike për në atë private. Perspektiva është edhe më e zymtë kur kujton se në nenin 156 të Ligjit të ri për mbrojtje shëndetësore, të miratuar edhe nga deputetët e BDI-së, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është dubluar dhe vënë pas kritereve të profesionalizimit dhe kompetencës – si mbulesë për pranimin e kandidatëve të VMRO-së e jo të kandidatëve shqiptarë, duke pasur kështu si alibi ligjore ‘profesionalizmin e dëshmuar’ tek të parët dhe ‘të munguar’ tek të dytët.

Ky model tashmë është zbatuar në mospunësimin e asnjë shqiptari nga rreth 20 mjekët e punësuar në konkursin e fundit në Shkup” thuhet mes tjerash në komunikatën e RDK-së. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button