Demolohet selia e BDI-së në Gostivar

Mbrëmë rreth orës 1 në mesnatë, është demoluar selia e BDI-së në Gostivar ku janë thyer xhamat e dritareve. Sipas policisë, arsyet janë ende të panjohura dhe punohet në zbardhjen e tërësishme të rastit.

“Mbrëmë rreth orës 1 është lajmëruar dëmtim të tre xhamave të dritareve në rr. S.Kostoski në Gostivar në objektin pronar i së cilit është P.M 56 vjeç. Arsyet e incidentit ende nuk janë të njohura mirëpo punojmë në atë drejtim , bëhen hetime, dëmtimi është foto-dokumentuar, dhe merren masa për zbardhjen e tërë rastit, kryesisht kush dhe pse e ka kryer atë vepër”, tha zëdhënësi i policisë së Tetovës, Marjan Josifoski.

Jozyrtarisht flitet se incidenti ka kulminuar nga mosmarrëveshjet që gjatë kohë ekzistojnë në partinë e BDI-së në degën e Gostivarit mes ish ministrit të ekologjisë Nexhati Jakupi dhe këtij aktual për vetëqeverisje lokale Nevzat Bejta për kandidimin e tyre eventual për kryetar të komunës së Gostivarit. 

Portalb mëson se kushëriri i Nexhati Jakupit, I.Jakupi në gjendje të alkoolizuar, thuhet të ketë qenë ai autori i këtij incidenti. Menjëherë pas incidentit, aktivistët e kësaj partie kanë zëvendësuar xhamat e thyer me të ri.

Por, Nexhati Jakupi për Portalb i mohoi këto zëra.

“Këto janë të gjitha spekulime, ka qenë incident i zakontë që ka ndodhur mirëpo nuk ka prapavijë politike”, tha Jakupi.

Edhe zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani demantoi se bëhet fjalë për prapavija politike duke thënë se incidenti është pasojë e një veprimi të një personi nën ndikim të alkoolit.
“Informacionet tona janë se incidenti nuk ka prapavije politike por është veprim i një personi nën ndikim te alkoolit. Janë informuar organet e rendit të cilët po hetojnë rastin”, tha Osmani. 

Nevzat Bejta nuk deshi të komentojë në lidhje me këtë duke thënë se nuk ka informacione të mjaftueshme. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button