Austria mbështet Ballkanin Perëndimor në rrugën e anëtarësimit në BE

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, priti sot në një takim Presidentin e Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, i cili ndodhet në Shqipëri për një vizitë zyrtare, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit kryeparlamentari Ruçi dhe Sobotka mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, duke u fokusuar në çështjet e integrimit evropian dhe në bashkëpunimin mes dy vendeve.

Sipas Ruçit, “Austria është për shqiptarët, një nga zërat më të fuqishëm në mbështetje të përpjekjeve për integrimin evropian të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor”.

Më tej gjatë fjalës së tij, kryeparlamentari Ruçi tha: “Së bashku nënshkruam marrëveshjen e mirëkuptimit midis dy Parlamenteve për ngritjen në Kuvendin e Shqipërisë të qendrës së takimeve për demokraci, e cila do të rrisë kapacitetet për edukimin qytetar, interesin e të rinjve për politikën dhe proceset demokratike”.

“Shqipëria ka bërë përparim në kushtet e vendosura nga Këshilli Evropian gjatë vitit 2018. E falënderova Sobotkan për rolin e Austrisë për Kosovën dhe i bëra të ditur se Shqipëria mbështet fuqishëm dialogun Kosovë-Serbi dhe ka përshëndetur vendimin e qeverisë së re të Kosovës për të hequr nga 15 marsi 2020 tarifën për lëndët e para për Serbinë dhe Bosnje dhe Hercegovinën”, u shpreh Ruçi

– Sobotka: Mbështes vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt anëtarësimit në BE

Ndërsa Sobotka në fjalën e tij tha se Parlamenti i Austrisë ka marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha vendet e BE-së dhe 6 vendet Ballkanit Perëndimor.

“Marrëdhëniet tona bilaterale midis dy parlamenteve synojnë intensifikimin e marrëdhënieve politike dhe ekonomike. Është synimi im kryesor ta mbështes Shqipërinë dhe pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt anëtarësimit në BE”, deklaroi Sobotka.

Sipas tij, demokracia ka nevojë për besimin e qytetarëve tek pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe në organet e drejtësisë.

“Austria e vlerëson atë çka Shqipëria ka bërë deri tani gjatë kësaj rruge. Tashmë ekziston një metodologji e re për hapjen e negociatave. Shpresojmë që në mars Komisioni Evropian të marrë një vendim pozitiv për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha Sobotka.

Duke folur për çështjen e refugjatëve, Sobotka, theksoi se “Është një rekomandim i qartë i Evropës, është një synim i qartë i deklaruar për të ndaluar emigracionin ilegal dhe për të ndihmuar ata njerëz që janë vërtetë në nevojë dhe për të mbrojtur kufijtë. Sigurisht që ne jemi në anën e vendeve të Evropës Juglindore”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button