Saliu: Në Gostivar mungojnë shumë tekste shkollore në shkollat fillore dhe të mesme

Imërlije Saliu nga Sektori i arsimit në Komunën së Gostivarit, në konferencën e sotme për shtyp dha pasqyrë të detajuar për mungesën e teksteve shkollore në shkollat fillore dhe të mesme.

“Nga të dhënat zyrtare nga gjithsej 10 shkollat fillore të komunën së Gostivarit, rezulton se mungojnë 9.506 tekste shkollore për të gjitha lëndët dhe të gjitha klasat. Njëlloj si atëherë kur reaguam në gjysëmvjetorin e parë, edhe në ktë gjysëmvjetor, mungesë më të madhe të librave kemi tek klasat e gjashta – gjithsej 3.838 tekste, klasat e shtata 1.026 dhe klasat e nënta 1.561 tekste shkollore. Sa u përket lëndëve mësimore 809 libra mungojnë të gjuhës shqipe, 289 tekste mungojnë nga gjuha Angleze, ndërkaq ka mungesë të madhe të lëndës së gjeografisë gjithsej 1007, histori 580 tekste. Po ashtu kemi mungesë të theksuar edhe të librave nga lëndët e arsimit teknik, arsimit figurativ, muzikës, informatikës, siç i kemi pasqyruar në tabelat e më poshtme për çdo shkollë.” tha ajo.

Me të njëjtin problem ballafaqohen edhe shkollat e mesme, theksoi ajo.

“Të dhënat që kemi marrë janë mjaft shqetësuese. 8.610 libra mungojnë në shkollën e mesme komunale të mjekësisë, 2.453 libra në shkollën e mesme teknike, ndërsa në gjimnaz mungojnë shumë pak tekste shkollore, vetëm 64 libra. Shkolla e mesme ekonomike na ka ofruar vetëm emrat e librave që mungojnë pa mos e shoqëruar me numra konkret, por megjithatë shqetëson fakti se janë të radhitura mbi 15 lëndë mësimore. Sa u përket shkollave të mesme analiza është bërë për të gjitha vitet, prej vitit të parë deri në vitin e katërt dhe për të tri gjuhët mësimore.” tha Saliu.

Sektori i arsimit i Komunës së Gostivarit e sheh si mjaft shqetësues faktin që edhe në gjysëmvjetorin e dytë është vazhduar me të njëjtin avaz si në gjysëmvjetorin e parë dhe mungesa e librave është mjaftë e theksuar, u shpreh Saliu.

“Nga kjo situate ata që humbin më së shumti janë nxënësit për këtë arsye iniciativa jonë është që të informojmë opinionin publik si dhe kërkojmë nga ministria e arsimit që të marë masa konkrete ku sot kemi dërguar edhe zyrtarisht kërkesë deri te ky institucion. Ne shpresojmë në përgjigje pozitive nga ana e Ministrisë për këtë vit akademik shkollor si dhe kërkojmë që prej shtatorit, respektivisht prej fillimit të vitit të ri shkollor 2020/2021, shkollat tona të mos përballen me problem të kësaj natyre.” tha ajo.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button