NJERËZIT E GJITHË PUSHTETEVE

Në librin “Të gjithë njerëzit e Stalinit” (1982), autori Roj Medvedev shkruan për 6 pushtetarët më sejmenë të prijësit të dikurshëm të Rusisë (K.E. Voroshillovin, A.I. Mikojanin, M.A. Susllovin, V.M. Mollotovin, L.M. Kaganoviqin dhe G.M. Malenkovin), të cilët kishin arritur të mbijetojnë në krye të pushteteve satrape të më shumë despotëve. Ata kishin nisur karierën politike në kohën e Leninit, qenë bashkëpunëtorët më të besueshëm të Stalinit dhe vazhduan të jenë aktivë edhe në kohën e Hrushovit dhe Brezhnjevit, ndërkohë që të tjerë, shumë më të aftë e më dinakë se këta, kishin rënë pre e revolucionit që ha kokat e bijëve të saj më të devotshëm…

Sipas Medvedevit, gjashtë shërbëtorët më servilë të Stalinit patën poste të larta në Partinë Komuniste të BRSS – dy prej tyre drejtuan qeverinë sovjetike në periudha të ndryshme, kurse të tjerët zinin vende të larta në kierarkinë partiake. Pra, ishin kuadro nga vendimet e të cilëve varej jeta e miliona njerëzve. Së këndejmi është e kuptueshme pse prijësi suprem Stalini e mbështeste pikërisht tek ata diktaturën totalitare.

Medvedevi rrëfen se ndërmjet tyre kishte një hasmëri që i shkonte për shtati shefit të madh. Kjo ia mundësonte atij zbatimin më të lehtë në praktikë të ideve njeringrënëse. Stalini e dinte se të përçarë nuk paraqisnin asnjë rrezik për pushtetin e tij. Përkundrazi, ata i pranonin me përunjësi edhe detyrat që binin ndesh me ligjet staliniste, për shkak të të cilave mund të humbnin kokën në momentin kur t’i tekej kryediktatorit të paparashikueshëm. Në fakt, gjithë vartësit e Stalinit që nuk ishin të gatshëm të kryejnë edhe vepra penale, sa herë që u kërkohej kjo, përjashtoheshin nga radhët e partisë ose dënoheshin me vdekje. Por 6 “heronjtë” e Roj Medvedevit nuk e kishin këtë siklet, sepse i kishin kaluar të gjitha llojet e seleksionimeve, kishin dëshmuar me vepra konkrete devotshmërinë revolucionare, pashpirtësinë, pragmatizmin, sadizmin, demagogjinë… Nga ky grup, vetëm Mikojani gëzonte një trohë autonomie në vendimmarrje dhe rezatonte një imazh pak më njerëzor. Në të vërtetë, të gjithë ata e dinin se ai që ua siguron postet dhe privilegjet pushtetare, mund t’i zhbënte sa çel e mbyll sytë, prandaj kryenin krime monstruoze me përkushtim të madh, sado që asnjëri prej tyre, para se t’i fitonin postet e larta, nuk kishte qenë i tillë. Drejt krimeve ata i shtynë ambicjet e sëmura dhe dëshira për ta dëshmuar lojalitetin e skajshëm para prijësit të partisë/shtetit.

Gjithnjë sipas autorit të librit“Të gjithë njerëzit e Stalinit”, kuadrot përreth Stalinit ishin të ngjashëm me njëri-tjetrin. Ata i motivonte frika dhe oportunizmi, ndaj i zbatonin pabëzajtur edhe urdhërat më sadiste, të vetëdijshëm se do të jenë shumë të dhimbshme për dikë, ndërkohë që kryerësve të krimit nuk do t’u sillnin asnjë kënaqësi. Me kalimin e kohës disa prej tyre u bënë vrasës profesionistë, të bindur se gjithçka e bënin për të mirën e partisë, revolucionit dhe të ardhmes më të lumtur. Në mesin e tyre kishte dhe budallenj që nuk mendonin fare para se ta kryenin ndonjë krim, duke pandehur se prijësi është ai që e di çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe.

Dhe, ashtu siç ngjet zakonisht në sietemet diktatoriale, ku njerëzit nuk i përgjigjen ligjit po prijësve kuçedra, krimet më rrëqethëse të gjashtëshes mbetën të panjohura për publikun e gjerë, sepse ata lejuan që njerëzit t’i dinë për ta vetëm gjërat që u konvenonin dhe i paraqisnin me imazh heronjsh. Ata bënë gjithçka që mundën që, pas vdekjes, të mbeten vetëm pak dokumente/ të dhëna për jetën e tyre, aq sa historianët të mos kenë mundësi të rekonstruojnë të shkuarën. Kjo është arsyeja përse njerëzimi është vazhdimisht pre diktaturash totalitare e demokratike, që dallojnë vetëm me mënyrat dhe sasinë e dhunës dhe që, me kalimin e kohës, vetëm sofistikohen.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button