Një delegacion i lartë ushtarak nga BeH vizitoi Maqedoninë e Veriut

Një delegacion i lartë ushtarak i Forcave të Armatosura të Bosnjë e Hercegovinës, i udhëhequr nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Senad Mashoviç, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka qëndruar sot në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë dhe në Ministrinë e Mbrojtjes, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pas pritjes me nderime të larta ushtarake, Mashoviç u takua me homologun e tij, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Maqedonisë së Veriut, Vasko Gjurçinovski dhe zv/ministrin e Mbrojtjes, Bekim Maksuti, pas çka u zhvilluan edhe bisedime zyrtare me udhëheqësinë ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm.

Siç informuan nga Ministria e Mbrojtjes, zv/ministri Maksuti gjatë takimit ka theksuar bashkëpunimin e shkëlqyer dypalësh në fushën e mbrojtjes, veçanërisht në fushën e arsimit, të manifestuar përmes trajnimit të kadetëve nga Bosnjë e Hercegovina në Akademinë Ushtarake në Maqedoninë e Veriut. Në të njëjtën kohë, zv/ministri Maksuti theksoi gatishmërinë e Maqedonisë së Veriut për të mbështetur integrimin euroatlantik të BeH-së.

“Gjatë takimit zyrtar, gjenerali Gjurçinovski theksoi se vizita ishte një mundësi e shkëlqyeshme për të thelluar më tej bashkëpunimin tradicionalisht të mirë dypalësh në fushën e mbrojtjes, ndërsa shprehu gatishmërinë për të ndarë me Forcat e Armatosura të BeH-së përvojat e marra procesin e integrimit tonë të plotfuqishëm në Aleancën e NATO-s, që është shumë i rëndësishëm jo vetëm për ne, por edhe për rajonin në tërësi”, thuhet në kumtesë.

Duke uruar “arritjen historike” të Maqedonisë së Veriut me anëtarësimin e plotë në NATO, gjenerali Mashoviç tha se shpreson në mbështetje të mëtutjeshme në procesin e integrimit në Aleancë, që është gjithashtu një angazhim strategjik i BeH-së.

Gjatë takimit të delegacioneve, mes tjerash u prezantua edhe angazhimi i ushtrisë në mbështetje të Ministrisë së Punëve të Brendshme në trajtimin e krizës së migrantëve.

Gjatë vizitës, gjeneral Mashoviç u takua edhe me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ndërsa delegacioni gjithashtu do të vizitojë disa nga njësitë e ushtrisë në kazermën “Ilinden” në Shkup.

Nesër, delegacioni do të njoftohet me mundësitë e Qendrës së Trajnimit të Pilotëve dhe do të vizitojë Akademinë Ushtarake “Gjeneral Mihajllo Apostollski”, ku 13 kadetë nga BeH-ja janë aktualisht të përfshirë në procesin arsimor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button