Gjinia e arsimit

Është një rastësi e bukur që tek shqiptarët dy ditë të rëndësishme shënohen njëra pas tjetrës: 7 Marsi – dita e hapjes së shkollës së parë shqipe dhe 8 Marsi – dita ndërkombëtare e gruas. Këto dy ngjarje janë tejet të rëndësishme dhe nuk kufizohen vetëm tek trëndafili që ia dhurojmë mësueses dhe mësuesit, nënës dhe bashkëshortes në një gjest të thjeshtë mirënjohjeje për kontributin e tyre të vazhdueshëm për ne dhe fëmijët tanë. Këto dy ngjarje duhet çdo vit të na ndihmojnë të reflektojmë për atë se çfarë shkalle të arsimimit dhe emancipimit kemi arritur si popull dhe si duhet të zhvillohemi më tej.

Sa i përket arsimit, rilindasit si Naim Frashëri kanë thënë më shumë se një shekull më parë që vetëm dritë e diturisë përpara do të na shpjerë. Por kjo dritë e diturisë që Naimi e simbolizon me flakën e qiririt, shpesh na ndodh të na paraqitet si dritë e atyre qirinjve fallco, që duken qirinj por megjithatë nuk janë vërtet qirinj, bëjnë një lloj drite por jo tamam atë dritë për të cilën ka shkruar Naimi. Edhe pas më shumë se një shekulli injoranca mbetet problem serioz në mesin tonë, veçanërisht kur testimet ndërkombëtare tregojnë se nxënësit e shkollave tona përballen me vlerësimin e analfabetizmit funksional. Kjo ma kujton vargun e njohur të Fan Nolit që i referohet pikërisht kësaj situate: anës dijes i panxënë. Është vështirë të flasësh për përparim nëse burimi i arsimimit është qiriri fallco dhe jo ai origjinali, nëse diploma është vetëm letër dhe jo dituri, nëse vitet e kaluara në shkollë e universitet janë më tepër formë se esencë. Në ditë si këto duhet reflektuar se çfarë bëjmë gabim. A merremi sa duhet me fëmijët tanë, a u mësojmë atyre shprehi të mira si të lexojnë më shumë e të flasin më bukur, sepse familja është shkolla e parë, këtë e dimë të gjithë. A u japim atyre maksimumin nëpër shkollat tona apo mundohemi t’i nxjerrim para kohe nga mësimi edhe kur punojnë me orar të shkurtuar. Sa herë ne si prindër, si mësues e si përfaqësues të institucioneve arsimore kemi debatuar apo jemi angazhuar për kushte më të mira në shkolla, për më tepër aktivitete mësimore dhe jashtëmësimore, për përgatitje më të mirë profesionale të fëmijëve tanë e jo vetëm për numra që ata duhet ti marrin si nota? Nëse vetëm dritë e diturisë përpara do të na shpjerë, sa gjatë e mbajmë atë dritë ndezur në të vërtetë? Sa angazhohemi që ajo dritë të mos shuhet ose fasifikohet?

Dhe kështu sapo mbarojmë reflektimin lidhur me arsimin, fillon reflektimi për barazinë gjinore që lidhet me ditën tjetër kur gratë dhe nënat tona i mbulojmë me lule por fare pak reflektojmë për atë se çfarë në të vërtetë do të thotë kjo barazi dhe drejt cilës rrugë duhet të ecë emancipimi i gruas si pjesë e rëndësishme e zhvillimit të çdo shoqërie. Shumë njerëz thonë që nuk ka nevojë të shënohet kjo ditë, sepse është festë që lidhet me komunizmin, por në të vërtetë nuk është ashtu. Sot e kësaj dite e gjithë bota ka ende probleme serioze që lidhen me barazinë gjinore. Statistikat tregojnë që për të njëjtën punë që e bëjnë edhe në vende të zhvilluara gratë paguhen më pak se burrat dhe ballafaqohen me forma të ndryshme të diskriminimit. Sot e kësaj dite edhe në vendin tonë industria e tekstilit dhe e punimit të lëkurës – aty ku pjesa më e madhe e të punësuarve janë femra – janë industri ku paga minimale është më e vogël se në industritë tjera.

Dhe ka një moment ku lidhen të dy reflektimet e lartëpërmendura dhe ai është momenti kur flitet për barazinë gjinore në arsim. Statistikat botërore tregojnë që edhe pse në këto kohëra moderne vajzat kanë qasje në të gjitha nivelet e arsimit dhe mund të studiojnë çdo gjë, sërish numrat tregojnë përfaqësim më të ulët të grave në kariera akademike. Kështu Shoqata Mbretërore e Kimisë në Britani shpall se në atë vend gratë përfshijnë 44% të studentëve, 39% të studentëve të doktoratës, 29% të stafit administrativ dhe vetëm 9% të profesoratit. Këto janë statistika nga Britania e Madhe, njëri ndër vendet me të avansuara në botë për barazi gjinore. Këto statistika janë çuditërisht të ngjashme për të gjitha universitetet ku individët zhvillojnë karierën e tyre akademike. Kështu, një vështrim i ngjashëm në përbërjen gjinore të universitetit ku unë punoj tregon që duke pasur numër të përafërt të studentëve femra (47.5%) dhe meshkuj (52.5%), përfqësimi i femrave në karierë akademike mbetet ende relativisht i ulët, veçanërisht në shkallët më të larta. Kështu tek docentët femrat përfaqësohen me 43%, tek profesorët inordinarë me 27% dhe tek profesorët ordinarë me 14%. Në menaxhmentin e mesëm dhe të lartë të UEJL femrat përfaqësohen me rreth 33% të pozitave udhëheqëse dhe ky është njëri ndër shembujt më të mirë në rajon sa i përket barazisë gjinore. Por menaxhmenti është diçka tjetër dhe numrat statistikorë janë shpesh të ndryshueshëm. Kariera akademike nga ana tjetër, është diçka më e vështirë për t’u arrirë për shkak se kërkon punë afatgjate dhe me shumë përkushtim për të përmbushur kritere saktësisht të caktuara.

Ndërtimi i çdo kariere, pra edhe i karierës akademike ndodh pikërisht në ato vite kur femra e ka periudhën më aktive të jetës dhe kur pritshmërite prej saj janë shumë të mëdha në të gjitha drejtimet. Prandaj edhe vërehet ngecja e dukshme në përqindjet që tregojnë sa pak të përfaqësuara janë femrat tek profesorati ordinar. Kjo shpesh ndodh për shkak se nga femra priten shumë më tepër gjëra se sa nga mashkulli, veçanërisht në shoqëri si kjo e jona. Nga femra pritet të jetë studente e dalluar dhe e shkëlqyer, por njëherit prej saj shpesh pritet të jetë bartësi kryesor i obligimeve familjare. Prej femrës pritet që ajo të sakrifikojë aftësitë dhe ëndrrat e veta për të rritur fëmijët ndërsa avansimin në karierë ta lërë për më vonë, kur të krijohen kushte për këtë dhe kur ajo të jetë më e lirë nga kujdesi që ekskluzivisht ajo pritet ta japë për të gjithë.

Është jo vetëm e padrejtë por edhe e dëmshme të pritet gjithnjë prej femrës ta sakrifikojë vetëvehten dhe ëndrrat e saj për të qenë kujdestari kryesor i familjes. Në këtë mënyrë krijohen situara ku vajza me potencial shumë të lartë për zhvillime të mirëfillta në shoqëri ngecin në karierë për shkak të këtyre pritshmërive që për kolegët e saj meshkuj janë krejtësisht inekzistente. Dhe nga kjo nuk humb vetëm vajza në fjalë por humb e gjithë shoqëria, sepse një kuadri potencial i mohohet e drejta për tu avansuar.

Kështu më ndodh shpesh të shoh studente shumë të zgjuara me shanse të mëdha për përparim në karierë, të ngecin me studimet pasdiplomike por edhe me karierën në vendet e tyre të punës për shkak të pamundësisë dhe mungesës së përkrahjes kualitative për të vendosur balansin mes karierës dhe familjes. Dhe vërtet është për të ardhur keq, sepse shpesh me ndodh të shoh studente të mrekullueshme që në një farë mënyre hynë shpesh edhe me vetëdëshirë në atë rrethin vicioz të traditave tona konzervative ku nga një nuse e mirë pritet të vishet e stoliset bukur për secilën dasmë ku ftohet dhe ku pjesa dërmuese e kohës së tyre duhet t’i dedikohet rruajtes së zakoneve të pritjes dhe përcjelljes së mysafirëve. Vlerat familjare janë vërtet esenca e zhvillimit të një kombi. Por familja nuk është vetëm stolia e arit që jepet në rastin e martesës. Vlera e mirëfilltë e familjes shihet në solidaritetin dhe përkrahjen që ekziston mes anëtarëve të familjes.

Prandaj të dashura vajza dhe studente, kur bëhet fjalë për arsim dhe emancipim zgjidhni mençur, kërkoni përkrahje në vend të arit, kërkoni mundësi për t’i realizuar ëndrrat e juaja dhe mos hiqni dore nga ato ëndrra kur ato lidhen me zhvillim dhe me përparim. Balansi mes familjes fëmijëve dhe përparimit në karierë nuk është diçka e pamundur. Njiheni këtë vlerë dhe vlerësoni dhe falenderoni ato që ju përkrahin të realizoheni shpirtërisht dhe profesionalisht.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button