Përkujtohet në përvjetorin e masakrimit, Adem Jashari, simboli i pavarësisë së Kosovës

Simboli i pavarësisë së Kosovës, Adem Jashari, përkujtohet në 22 vjetorin e masakrimit të tij, bashkë me familjen dhe mysafirët, pasi forcat serbe rrethuan shtëpinë e tij në Prekaz më 5-7 mars të vitit 1998 gjatë luftës në Kosovë, shkruan Anadolu Agency (AA).

Mbi 50 njerëz në mesin e të cilëve edhe Jashari, një ndër themeluesit dhe komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përkujtohen me aktivitete të ndryshme në përvjetorin e “Masakrës së Prekazit” ose ndryshe e njohur edhe si “Epopeja e UÇK-së”, në mbarë Kosovën si dhe në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut.

Adem Jashari u lind më 28 nëntor të vitit 1955 në fshatin Prekaz të Drenicës.

Me fillimin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë në fillim të viteve të 1990-ta, Jashari bashkë me shokët e tij, duke u shqetësuar nga nacionalizmi serb formuan UÇK-në e cila më pas do të luante rol të rëndësishëm në pavarësinë e Kosovës.

Ai mori pjesë në radhët e para në lëvizjet popullore dhe të pavarësisë. Në vitin 1991 kaloi në Shqipëri ku edhe stërviti grupin e vullnetarëve ndërsa mori përsipër edhe detyrën e Komandës së Drenicës në UÇK.

Masakra e Prekazit

Në vitin 1998 ushtarët, policia dhe njësitet paramilitare serbe filluan një operacion kundër kosovarëve që kërkonin pavarësi. Në luftën në të cilën humbën jetën mijëra njerëz dhe u zhvendosën qindra mijëra të tjerë u kryen edhe shumë krime lufte.

Ngjarja e cila ndryshoi kahjen e luftës në Kosovë ishte masakrimi i mbi 50 personave së bashku me Adem Jasharin.

Sulmi i parë ndaj familjes Jashari ndodhi më 30 dhjetor të vitit 1991, kur forcat serbe rrethuan shtëpinë e familjes Jashari në Prekaz, si pasojë e së cilës humbën jetën njerëz nga të dyja palët.

Në sulmin e dytë ndaj familjes Jashari më 22 janar të vitit 1998, dy persona nga kjo familje u plagosën.

Forcat serbe më pas më 28 shkurt të vitit 1998 kryen sulme ndaj shtëpive për të cilat mendonin se kanë lidhje me familjen Jashari, si pasojë e së cilës humbën jetën 17 persona.

Më pas, më 5 mars të të njëjtit vit, forcat serbe sërish rrethuan shtëpinë ku gjendej Adem Jashari dhe familja e tij me tanke dhe artileri të rëndë. Në përleshjet që vazhduan deri më 7 mars, forcat serbe masakruan mbi 50 anëtarë të familjes Jashari dhe mysafirët e tyre, në mesin e të cilëve edhe gra dhe fëmijë.

Simboli i shqiptarëve të Kosovës

Pas vdekjes, Adem Jashari, u bë simboli i luftës së Kosovës dhe pavarësisë së vendit.

Presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova, e dekoroi Jasharin me urdhrin “Heroi i Kosovës”.

Shtëpia e famljes Jashari e shndërruar në rrënoja nga forcat serbe, pas pavarësisë së Kosovës u kthye në shtëpi përkujtimore. Ndërsa përballë shtëpisë gjenden edhe varrezat e dëshmorëve që humbën jetën në sulm. Në fshatin Prekaz gjithashtu gjendet edhe një muze ku ekspozohen veshjet dhe gjërat e familjes Jashari.

Sot, Adem Jashari mbahet gjallë me një ndër fotografitë e tij të rralla të printuara në këmisha dhe sende të ndryshme.

Fotografia e “Che Guevara-s” shqiptare shpesh shoqërohet edhe nga thënia “Bac, u kry”. Në çdo cep të rrugëve të Kosovës mund të haset emri ose fotografia e Adem Jasharit.

Ndërkohë, edhe në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut ka rrugë dhe buste në nder të komandatit të UÇK-së, Jashari.

Emrin e tij e mban stadiumi i qytetit të Mitrovicës dhe aeroporti në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, ndërsa edhe në Turqi gjendet një park në nder të Adem Jasharit.

– Lufta në Kosovë dhe shpallja e pavarësisë

Gjatë viteve 1998-1999 të luftës në Kosovë janë vrarë më shumë se 10 mijë kosovarë, nga të cilët mbi 8 mijë shqiptarë, ndërsa afro një milion njerëz, rreth 800 mijë prej të cilëve shqiptarë, u detyruan t’i braktisin shtëpitë e tyre në Kosovë.

Më 24 mars, në orën 20:00 NATO nisi “Operacionin e Forcave Aleate” që zgjati deri më 10 qershor. Me përjashtim të Greqisë, të gjithë anëtarët e NATO-s mbështetën operacionin. Operacioni po ashtu u mbështet edhe nga Forcat e Armatosura Turke (TSK) me 10 avionë të tipit F-16.

Kosova, rreth 10 vite pas luftës, më 17 shkurt të vitit 2008 shpalli pavarësinë e saj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button