NATO: Konflikti në Siri ka nevojë për zgjidhje politike

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë thirrje për një zgjidhje politike të konfliktit në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).

Stoltenberg, i cili dje qëndroi për vizitë në kryeqytetin e Kroacisë, Zagreb, i bëri thirrje regjimit sirian dhe Rusisë që të respektojnë ligjin ndërkombëtar.

“Vendosja e NATO-s në Detin Egje mbetet e rëndësishme. Por, komuniteti ndërkombëtar duhet të adresojë shkaqet thelbësore të krizës. Ne duhet të shqyrtojmë një zgjidhje politike për konfliktin në Siri. Kështu që regjimi i Assad-it dhe Rusia duhet të përfundojnë ofensivën e tyre. Respektoni ligjin ndërkombëtar dhe mbështetni përpjekjet e OKB-së për një zgjidhje paqësore”, tha Stoltenberg.

Duke folur për fluksin e azilkërkuesve nga Turqia në Greqi, Stoltenberg tha se Greqia është përballur me një situatë të vështirë.

“Greqia po ashtu është e ndikuar shumë nga situata aktuale. Greqia bart një barrë të rëndë dhe sfidat e migracionit janë sfida të përbashkëta që kërkojnë zgjidhje të përbashkëta”, tha Stoltenberg.

Ndërkaq, kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç, tha se migracioni i parregullt duhet të parandalohet.

“Ne do të përpiqemi të parandalojmë fluksin e ri të migrantëve në bashkëpunim me BE-në dhe NATO-n”, tha Plenkoviç.

Mbi 135 mijë azilkërkues kanë kaluar në Evropë pasi Turqia hapi kufijtë e saj, duke akuzuar BE-në për mospërmbushje të premtimeve të dhëna në kuadër të një marrëveshjeje të vitit 2016 të arritur për krizën e refugjatëve.

Turqia, e cila tashmë strehon rreth 3.7 milionë refugjatë sirianë, më shumë se çdo vend tjetër në botë, thotë se nuk mund të përvetësojë një valë tjetër migracioni.

Një përshkallëzim i situatës në Idlib të Sirisë ka dërguar një valë të re migrantësh drejt kufirit të Turqisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button