Jankullovska: Pas incidenteve fshihet opozita

Pavarësisht shtimit të incidenteve ndër-etnike gjatë periudhës së fundit, Ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska vlerëson se situata e sigurisë në vend është e qëndrueshme.

Jankullovska madje akuzoi opozitën se në pamundësi që t’ju ofrojë diçka qytetarëve ajo ngre pluhur për gjoja përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike me qëllim të fitimit të pikëve politike. “Konsideroj se është e panevojshme dhe plotësisht e papranueshme që disa politikanë të përpiqen të ndërtojnë rejtingun e tyre apo rejtingun e partisë së tyre nëpërmjet improvizimeve dhe spekulimeve rreth sigurisë në Maqedoni, aq më shumë përmes përpjekjeve për t’i përkeqësuar marrëdhëniet ndëretnike, respektivisht prezantimit të rrejshëm të pasqyrës faktike, e cila, siç mund ta shihni, shifrat ilustrojnë një gjendje shumë më ndryshe nga ajo që pretendon opozita”, tha Gordana Jankullovska, Ministre e brendshme.

Jankullovska vlerëson se dallimet mes partnerëve të koalicionit nuk ndikojnë në nxitjen e tensioneve tek të rinjtë e grupeve të ndryshme etnike, përkundrazi takimet e nivelit të lartë sipas saj mes Gruevskit dhe Ahmetit kishin për qëllim dërgimin e mesazheve për bashkëjetesë dhe promovimin e tolerancës. Në këtë kuadër Jankullovska pretendon se është edhe ligji i ri i policisë, ligj ky i cili u prit me reagime të shumta në opinion se shkel të drejtat e njeriut, me atë që policisë i rriten kompetencat për sa i përket vëzhgimit të personave.

“Në rast se kemi rritje të numrit të incidenteve nëpër autobusë, në garat sportive, kemi njohuri operative për tregti të paligjshme me njerëz në ndonjë nga baret në territorin e Maqedonisë apo kemi indikacione për sjelljen problematike të personave të caktuar, atëherë kuptohet se policia duhet dhe mund të ketë një qasje të përforcuar në mbledhjen operative të informatave rreth kryerësve të veprave penale, personat që provokojnë apo krijojnë incidente dhe kuptohet se e gjithë kjo bëhet me koordinim të drejtpërdrejtë me prokurorin publik dhe me procedurë ligjore. Pra nuk ekziston aspak hapësirë që njerëzit të dyshojnë për cenimin e të drejtave dhe lirive të tyre”, Gordana Jankullovska, Ministre e brendshme.

Ministrja e Brendshme nga ana tjetër nuk deshi të komentojë rreth rrjedhës së hetimeve në kuadër të aksionit Monstra, me arsyetimin se bëhet fjalë për një rast shumë të ndjeshëm. Jankullovska tha se me rëndësi është që ky rast të marrë epilog gjyqësor. /alsat

Lajme të ngjashme

Back to top button