Zbogar shpreson që më në fund të ketë vendim për fillimin e negociatave të RMV-së me BE

Maqedonia Veriore e ka kryer detyrën e saj dhe tani e kanë radhën vendet anëtare, por mendoj se yjet po renditen dhe shpresojmë që më në fund të shohim vendim për të filluar negociatat për anëtarësim, tha Ambasadori i BE-së në vend, Samuel Zhbogar në një intervistë për TV 24, njofton Portalb.mk.

“Vendi juaj e ka përmbushur detyrën e vet, duke i zbatuar të gjitha reformat, përfshirë edhe miratimin e Ligjit për Prokurori publike, kështu që tani radhën e kanë vendet anëtare. Gjithçka është në tryezë dhe ata do të duhet të flasin dhe të marrin vendim. Unë do të përmbahem nga optimizmi i madh sepse asnjëherë nuk dihet nëse një çështje e re nga ndonjë palë do të çrregullojë  diskutimet. Por për momentin mendoj se yjet po renditen dhe shpresojmë që më në fund të shohim rezultat pozitiv” thotë Zhbogar.

Sipas tij, të gjitha shtetet anëtare të BE-së janë të kënaqura me metodologjinë e negociatave, prandaj ai nuk pret probleme të mëdha për miratimin e saj deri në samitin e BE-së më 26 mars, në të cilin duhet të diskutohet për marrje të vendimit për fillimin e negociatave për anëtarësimi me vendin dhe Shqipërinë.

Ligjin për Prokurori i publike Zhbogar e cilësoi si të mirë, duke thënë se ai nuk i kalon linjat e kuqe dhe se është miratuar në përputhje me procedurën. Ai mendon se administrata është e gatshme t’i zbatojë reformat e nevojshme gjatë procesit të negociatave, por që ajo ka nevojë për motivim.

Në lidhje me ndikimin e vendimit për fillim të negociatave mbi zgjedhjet, Zhbogar thotë se edhe nëse nuk ka datë, dikush gjithmonë do të thotë se ajo gjë ka ndikuar në zgjedhje dhe rezultat. Sipas tij, është e rëndësishme që BE të marrë një vendim jo për qeverinë ose ndonjë parti, por për vendin dhe qytetarët që kanë qenë kaq të durueshëm aq gjatë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button