Agu dhe muzgu i një kryengritësi

Diplomati Henry Layard-i, derisa shëtiste lagjeve të Stambollit, pa disa të burgosur vënë nën pranga, të cilët i meremetonin rrugët e dëmtuara. Njëri prej tyre i kërkoi ca metelikë për duhan. Diplomati e njohu fytyrën e tij, sepse e kishte takuar disa herë.

Herën e parë e kishte takuar në mal, si prijës të një kryengritjeje për autonomi të pashallëqeve shqiptare brenda perandorisë. Diplomati atëherë ndërmjetësonte me kërkesë të autoriteteve osmane, që kryengritësve u kërkonin dorëzimin e armëve në këmbim të një amnistie.

Layardi ishte pritur me dashamirësi nga kryengritësit shqiptarë. Ata kishin simpati për britanikët. As diplomati nuk e fshehu simpatinë për luftëtarët e mirë shqiptarë dhe aspak fanatikë.

Herën e tjetër u takua kur kryengritësit, sipas marrëveshjes, shkuan në Shkup që t’i dorëzonin armët.

Omer pasha, pasi i gostiti me kafe, i preu në besë. Ai i urdhëroi ushtarët e tij që t’i arrestonin luftëtarët e dorëzuar. Ishte i kotë zemërimi i diplomatit britanik për tradhtinë ndaj tyre.

“Ata nxitimthi u nxorën jashtë dhomës dhe pasi ua lidhën duart e këmbët, i burgosën. Kah muzgu i hipën nëpër mushka dhe i dërguan nën roje të fuqishme në Stamboll”, shkruan ai.

Takimi i fundit me luftëtarin, që e tronditi perandorinë gjatë viteve 1843/44, ndodhi në Stamboll. Ishte takimi me të burgosurin që i kërkoi “tutoon paras“.

“Këmbeva disa fjalë me të dhe i dhashë ca para për duhan. Pastaj vazhdova rrugën. Prej atëherë kurrë nuk e kam parë dhe as nuk di gjë për fatin e tij”, shkruan Henry Layard në Autobiografinë e tij, ku përshkruan një mision në Shqipëri ndërmjet viteve 1843 dhe 1845.

“I dënuari ishte Dervish Cara, udhëheqësi i gegëve në kryengritjen e pasuksesshme”, të cilin gjykata, para së cilës u shfaq krenar dhe e mori përgjegjësinë e kryengritjes, e dënoi me vdekje. Më pas dënimi iu kthye me burg të përjetshëm. Se çfarë ndodhi më pas askush nuk mund ta thotë me saktësi. Pashallëku i Tetovës ndërkohë ishte bërë një kaza e mjerë, e administruar prej një kajmekami.

Luftëtari vdiq i harruar larg vendlindjes. Një kohë të gjatë nuk e kujtuan as historianët, të cilët kanë ditur të lartësojnë kryengritje shumë herë më të parëndësishme se sa ajo e Dervish Carës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button