Albin Kurti: Grenell këmbëngul që marrëveshja të arrihet në fund të pranverës

Kryeministri i ri i Kosovës Albin Kurti në një intervistë të dhënë për gazetarin  Euronews World, Jack Parrock, ka folur për heqjen e taksës dhe kërkesën e të dërguarit special të Presidentit Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Ky i fundit, sipas Kurtit këmbëngul që marrëveshja me Serbinë të arrihet në pranverë.

“Grenell këmbënguli që një marrëveshje të arrihet në fund të kësaj pranvere. Sigurisht që do të ishte fantastike. Por, ne nuk duhet të rrezikojmë marrëdhëniet e tjera dhe dialogun me marrëveshjet e bëra shumë shpejt për të qenë të pranueshëm.”, theksoi Kryeministri i Kosovës.

Presidentit i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka folur sërish për dialogun me Kosovën. Ai u shpreh qartë se Serbia nuk do ta ndalojë fushatën kundër pavarësisë dhe çnjohjeve për Kosovën.

“Mos e kërkoni njohjen sepse ne nuk do ta bëjmë këtë”, citohet të ketë thënë Vuçiç.

Pak minuta më parë ka reaguar Albin Kurti për politikën agresive të Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës. Me një shënim në rrjetin social “Facebook”, kreu i ekzekutivit kosovar i ka bërë thirrje Beogradit zyrtar të heqë dorë nga politikat destruktive ndaj Kosovës.

“Vullnetit tim të mirë, për heqjen e pjesshme të tarifës në lëndën e parë që importohet nga Serbia, në mënyrë që të krijohen kushtet për rifillim të dialogut dhe të ndërtimit të marrëdhënieve konstruktive të bashkëpunimit, qeveria serbe po i përgjigjet me intensifikim të fushatës së çnjohjeve së pavarësisë së Kosovës.

I bëj thirrje Serbisë zyrtare që ta ndalë këtë ofensivë dhe të heqë dorë nga politikat destruktive ndaj Kosovës dhe shtetësisë së saj. Po ashtu, do të kërkoj nga faktorët relevantë ndërkombëtarë, në radhë të parë ShBA-të dhe BE-ja, si ndërmjetësues në procesin e dialogut, ta shtojnë trysninë mbi Serbinë që ta ndërpresë politikën armiqësore ndaj Kosovës”, shkruan Kurti.

Ai shton më tej se qeveria që ai drejton ka shprehur vullnetin e mirë për marrëdhënie korrekte normale me Serbinë, ndërsa shton faktin se, politika agresive e Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës do ta detyrojnë atë të veprojë konform interesave të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës.

“Ne kemi treguar qartë se e kemi vullnetin për marrëdhënie korrekte e normale me Serbinë. Mirëpo nuk mund të lejojmë që ky vullnet i yni të nëpërkëmbet. Si kryeministër i Kosovës do të shqyrtoj me kujdes situatën e krijuar dhe do të veproj konform interesave të Republikës dhe qytetarëve të saj”, shkroi më tej Kurti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button