OSBE-ODIHR e nisi misionin për monitorimin e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut

Misioni i OSBE-ODIHR-së përmes një konference për media ka njoftuar fillimin e monitorimit të procesit zgjedhor në Republikën e Maqedonisë së Veriut për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që janë caktuar të mbahen më 12 prill, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke falënderuar institucionet që kanë dërguar ftesë për monitorim të zgjedhjeve, shefja e misionit, Tana de Zulueta, informoi se kjo është hera e 19-të që organizata vendos një mision të monitorimit zgjedhor në Maqedoninë e Veriut.

“Siç e dini, mandati ynë do të jetë thjesht të vlerësojmë zbatimin e këtyre zgjedhjeve dhe të vlerësojmë nëse ato janë në përputhje me angazhimet e OSBE, standardet ndërkombëtare në të cilat është palë vendi si dhe legjislacionin kombëtar”, tha de Zulueta.

Ajo theksoi se monitoruesit do të ndjekin çdo fazë të zgjedhjeve, përfshirë fushatën parazgjedhore, ditën e zgjedhjeve dhe periudhën e shkurtër menjëherë pas zgjedhjeve, kur janë paraparë afate kohore për ankesa. Pjesë e monitorimit, siç theksoi de Zulueta, do të jenë edhe mediat dhe rrjetet sociale.

Shefja e misionit të OSBE-ODIHR-së gjithashtu paralajmëroi se do të zhvillohen takime me të gjitha palët, përfshirë partitë politike, organizatat joqeveritare dhe institucionet kompetente për realizimin e zgjedhjeve.

“Në ditën e zgjedhjeve, kuptohet edhe para ditës së zgjedhjeve, neve do të na bashkangjiten monitoruesit afatshkurtër. OSBE-ja ka ftuar shtetet pjesëmarrëse të dërgojnë 250 monitorues afatshkurtër. Ata do të vendosen në të gjithë vendin”, tha de Zulueta.

Ajo tha se një ditë pas zgjedhjeve do të publikohen rezultatet preliminare, ndërsa dy muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve do të shpaloset edhe raporti përfundimtar për zgjedhjet, i cili do të përmbajë edhe rekomandimet e OSBE-së.

Kujtojmë se më 16 shkurt, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi vendimin për t’u shpërndarë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të planifikuara për më 12 prill.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare erdhën si rezultat i asaj se Këshilli Evropian nuk vendosi të caktojë datë për Maqedoninë e Veriut për të filluar bisedimet e anëtarësimit me Bashkimin Evropian pas samitit të tetorit si rezultat i kundërshtimit të Francës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button