Shqipëri, Idrizi: Ikim nga qeveria po nuk u miratua rezoluta

“S’do të jemi me atë forcë as në zgjedhje, as në qeveri, përfshi dhe PS”. Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, lëshoi dje një apel të fortë ndaj maxhorancës, se do të largohet nga koalicioni nëse PD nuk do ta votojë rezolutën për zgjidhjen  çështjes çame.

 PDIU mblodhi dje Këshillin Kombëtar për të diskutuar rreth strategjisë për zgjidhjen e çështjes çame, duke u nisur nga rezoluta e prezantuar përpara pak ditësh në Kuvend. Idrizi është shprehur se nuk do të bashkëpunojë me asnjë forcë politike që do të votojë kundër rezolutës në Parlament.

“Në sekondë do të dalim nga qeveria nëse PD nuk do ta votojë rezolutën. Nuk do të jemi me atë forcë, as në zgjedhje, as në qeveri. Kjo vlen dhe për PS-në. Ne u kemi lënë të gjithë kohën e duhur, në momentin që vjen me argument, presim ta votojnë të gjithë”, u shpreh Idrizi. Kreu i PDIU-së u shpreh se nëse nuk do të miratohet në Kuvend rezoluta e propozuar nga forca e tij, ai do të largohet nga politika. “Nëse nuk miratohet, do të tërhiqem nga politika jo për fajin tim, por si protestë, që kjo çështje të marrë zgjidhje. Por, do të mbështes fort politikisht PDIU-në në zgjedhjet e 2013-s, për të marrë ato 5 mandate që ju thashë”, theksoi Shpëtim Idriz. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button