Hakaton për të dhëna të hapura: Krijoni aplikacione moderne për fond shpërblyes prej 5.000 eurosh

Fondacioni për Internet dhe Shoqëri – Metamorfozis në bashkëpunim me Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës organizon për herë të parë Hakaton për të dhënat e hapura, i cili është mundësuar përmes mbështetjes së Projektit të USAID-it për pjesëmarrje qytetare dhe Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik

Hakatoni për të dhënat e hapura do të mbahet prej 13 deri më 14 mars, 2020, ndërsa paraqitja e individëve ose ekipeve mund të bëhet në mënyrë elektronike në këtë link form.jotform.com/200472199214048 deri më 9 mars të vitit 2020.

Për të marrë pjesë në këtë hakaton mund të paraqitet çdokush që ka mbushur 18 vjet, individë ose ekipe që kanë pasion të punojnë me përpunimin dhe prezantimin e të dhënave të hapura nga fusha të ndryshme. Fondi shpërblyes për zgjidhjen më të mirë është 5.000 euro, dhe është siguruar nga Telekomi i Maqedonisë.

Duke i përdorur të dhënat e hapura, përmes ideve inovative dhe aplikimit të njohurive ekzistuese, ekipe krijuese të njerëzve nga sektorë të ndryshëm mund të kontribuojnë në rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve ose në zgjidhjen e ndonjë problemi shoqëror. Të dhënat e hapura, përveç që përmes transparencës dhe përgjegjshmërisë së autoriteteve e rrisin besimin e qytetarëve në institucione, mund të kontribuojnë edhe në punën e sektorit të biznesit, por edhe të sektorit akademik dhe civil. Ato janë jashtëzakonisht të rëndësishme për krijimin e produkteve dhe shërbimeve të reja që mund ta lehtësojnë jetën e përditshme të qytetarëve

Gorjan Jovanovski, pronar i aplikacionit të popullarizuar për matjen e ndotjes së ajrit “Ajri im”, thotë se hakatonet janë një mundësi e shkëlqyer për të mësuar shumë, për të “hakuar” edhe më shumë dhe për të provuar shumë ide interesante në një periudhë të shkurtër kohore. Për të, bukuria e ngjarjeve të tilla është se ka shumë koka të pranishme në të njëjtën hapësirë, me përvoja dhe njohuri të ndryshme, që kontribuojnë edhe më tepër në formimin e ideve.

“Unë jam adhurues i madh i të dhënave të hapura, sepse ato shpesh futen në ndonjë skaj, dhe presin që të zbulohen nga ndonjë projekt interesant. Kështu filloi edhe “Ajri im”, aplikacion që përdorte të dhëna të hapura nga Ministria e Mjedisit Jetësor. Pas 5 vjetësh, projekti më nuk është i vogël, ka mbi 200.000 përdorues nga 11 vende në të gjithë Ballkanin, dhe nuk ka plan që të ndalet rritja e tij. Mu për shkak të përvojës sime, i inkurajoj të gjithë të përfshihen në hakatone të tilla, dhe të zhvillojnë projekte inovative duke përdorur të dhëna të hapura dhe të dhëna që tashmë janë në dispozicion, sepse zakonisht vetëm imagjinata juaj është kufiri i asaj që mund të zhvillohet” – thotë Jovanovski.

Këtë mundësi do ta kenë të gjithë individët dhe grupet e interesuara më 13 dhe 14 mars të vitit 2020 në Hakatonin e parë për të dhënat e hapura:. Qëllimi i ngjarjes është që në një vend të mblidhen grupe kreative të njerëzve, të cilat, në ekipe ose si individë, do të përpiqen ta shfrytëzojnë potencialin e të dhënave të hapura që tashmë janë në dispozicion në vendin tonë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button