Gokalp: Kultura dhe politika (II)

Sociologu i mirënjohur Gokalp bën një analizë të ndikimit të personaliteteve të dalluara, të filozofëve, të heronjve dhe kulturëkrijuesve nga njëra anët dhe të autorité-teve politike apo të shtetarëve tek masa apo opinioni publik. Sipas tij, “idetë e filozofit, virtytet morale të një heroi shfaqen brenda popullit përmes fuqisë së tyre mbresëlënëse. Ndikimi i njerëzve të kulturës, nuk i përngjan efektivitetit të shtetarëve.” Kompetencat dhe fuqia që kanë ligjet ose shtetarët, vlejnë përderisa ka afat vula zyrtare mbi to ose mandati i caktuar. Nëse një ligj abrogohet, s’ka kurrfarë rëndësie. Zyrtarit shtetëror sapo spostohet apo braktis një detyrë të caktuar, i përfundojnë edhe kompetencat edhe efiçienca. Domethënë efektiviteti zyrtar është i kufizuar me periudhën e të qenët të ligjeve dhe rregulloreve në fuqi ose me vazhdimësinë e detyrës në një post zyrtar. Kurse aktivitetet e një filozofi, të një dijetari, artisti ose të një personi të vitytshëm nuk janë relative.. Efektiviteti i veprimeve të tyre nuk kufizohet me postin por me personalitetin. “Një person që zhvillon veprimtari shkencore, madje edhe nëse nuk është profesor universitar, edhe nëse nuk pranohet si pjesëtar i akademisë, ka efektivitet shkencor. Kurse një njeri që nuk ka ndikim shkencor, edhe nëse është profesor universitar ose anëtar i akademisë, në bazë të këtyre posteve nuk mund të fitojë kurrfarë epërsie.”

Një e vërtetë shkencore, një vepër estetike, një virtyt moral, edhe nëse merr edhe nëse nuk merr ndonjë lëvdatë sërish e ka vlerën e vet. Idetë, veprat dhe vlerat shpirtërore që në sytë e shkencëtarëve, artistëve dhe dijetarëve janë të pavlefshme, mbeten të privuara nga vlera kulturore madje edhe nëse marrin lëvdata zyrtare, edhe nëse propagandohen e mediatizohen. Pra, kultura dhe politika janë dy veprimtari të pavarura që në çdo subjekt dallojnë nga njëra-tjetra. Te popujt që i ndajnë këto dy veprimtari, zhvillohet si kultura ashtu edhe politika. Në të kundërt, te kombet që të njëjtat ngatërrohen, si kultura ashtu edhe politika shënojnë dekadencë. Tek kombet e zhvilluara europiane, si rrjedhim i  përparimit, shohim se kultura dhe politika janë ndarë tërësisht. …

E çfarë duhet të bëjmë për të ndarë kulturën nga politika? Në të kaluarën, me kulturë janë marrë vetëm disa zyrtarë. Ata, duke “vjedhur” nga koha e detyrës, janë marrë me shkencë, filozofi dhe art. Kjo gjendje e pengonte kryerjen e detyrave zyrtare, dhe nga ana tjetër, bëhej shkaktare që kultura të mbetej e dobët. Tani, puna e parë që duhet bërë është krijimi i profesioneve kulturore për të siguruar ekzistencën e njerëzve që jetën duan t’ua kushtojnë shërbimeve kulturore. Kjo ngase në mesin tonë nuk ka fëmijë të pasur që jetën do t’ia përkushtonin kulturës. Për këtë arsye, themi se kemi nevojë për punë  që do t’u mundësojnë ekzistencën atyre që do të merren me kulturë apo me vlerat autentike. S’ka dyshim se i pari prej këtyre profesioneve është mësuesia. Nëse mësuesia konsiderohet si e profilit të ulët, dhe mësuesve u jepen paga të ulëta, s’arrihet kurrë avancimi i një bashkësie. Mësuesit duhet të jetojnë në mirëqenie, duhet të kenë kohë të lirë që të merren me kulturë. Pas mësuesisë, vijnë nëpunësitë e tjera nëpër institucione kulturore. Për shembull, nëpunësit nëpër muzeume, arkive, biblioteka etj. Nëse personat që do të shërbejnë në institucione si këto zgjidhen nga dijetarët, ata vetë mund të merren edhe me hulumtime shkencore. Dhe nga këto hulumtime mund të dalin shumë të vërteta dhe produkte kulturore.

“Përveç kësaj, mund të themelohet një institucion përkthimi që do të bënte përkthimin e të gjitha kryeveprave të shkruara në gjuhët tjera. Kjo veprimtari do ta pasuronte bibiotekën tonë kombëtare me produktet e qytetërimit dhe do të siguronte një fushë pune për shumë shkencëtarë dhe artistë nga mesi jonë. Ja pra, shërbime të mirëfillta që mund t’i bënte qeveria në sferën e kulturës janë këto. Nga ana tjetër, kultura do të shërbente përmes interpretimeve, kurse qeveria përmes përgatitjes së parimeve të pushtetit politik. Kurse ndikimi i kulturës ndaj politikës duhet të jetë në rrafshin e përgatitjes së mjeteve për krijimin e politikës. Partitë politike dhe aktorët e tjerë politikë, në programet e veta politike mund të vendosin nene që kanë të bëjnë me kulturën. Pëndryshe, qeveritë dhe fuqitë e tjera politike nuk mund të bëjnë apo të krijojnë kulturë. Kulturë mund të prodhojnë vetëm ekspertët e shkencave dhe arteve. Këta ekspertë mund të bashkohen në grupe të caktuara, të cilat nuk mund të quhen as parti e as fuqi politike. Të njëjtat mund të pagëzohen si “ekole filozofike apo letrare”. Për fat të keq në vendin tonë ende nuk është kuptuar dallimi mes shkollave kulturore dhe partive politike. Thuhet se reformimi i gjuhës  është i dobishëm në drejtim të një qëllimi politik, se rima e rrokjeve është nga parimet e një programi politik. Madje ka pohime se edhe ndjekja ose mosndjekja e një shkolle të caktuar në sociologji, filozofi, letërsi është manovër politike. Duke parë pretendime dhe kundërshtime të tilla, na kap dëshpërimi pse në vendin tonë ende s’ka lindur asnjë ide për ndarjen e kulturës nga politika.

Ka dallim mes të bërit ligje dhe kërkimit të së vërtetës. E vërteta shkencore mund t’iu bëhet njerëzve e pranueshme vetëm në saje të provave shkencore dhe logjike. Politika nuk siguron pranimin e të vërtetave shkencore, as që mund t’i zhbëjë ato… Për të rrënuar teorinë shkencore, sërish duhet një veprimtari shkencore. Metodat dhe temat e kulturës dhe politikës janë në kundërshtim mes vete; edhe grupet që janë ndihmëse të tyre nuk mund të konkurrohen mes vete. Konkurrentët e shkollave shkencore dhe letrare, mund të jenë shkolla të llojit të vet. Një shkollë kulturore nuk mund të jetë as konkurrente e as ndihmëse e një partie politike. Sikur që një parti politike nuk mund të jetë përballë një shkolle kulturore as konkurrente e as suportuese… Sepse brenda një partie mund të ketë grupe konkurrente, por edhe individë që iu përkasin partive oponente.”

Thënë shkurt, nuk është një qasje e qëlluar që ideve dhe teorive kulturore t’iu jepet karakter politik. Për herë të parë politikën në një fjalim kulturor e ka futur ai që e ka përdorur fjalën politikë. Të kërkosh gjithmonë në temat shkencore e letrare politikë, është ose manovër e qëllimshme ose një sëmundje mendore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button