fbpx

SHBA e Talebanët afganë nënshkruajnë marrëveshjen e paqes

Pas rreth 19 vitesh luftë, përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara dhe Talebanët afganë nënshkruan një marrëveshje paqeje të shtunën në Doha të Katarit.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo ishte i pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, e cila i hap rrugë bisedimeve mes Talebanëve dhe zyrtarëve të qeverisë afgane me qëllimin për t’i dhënë fund konfliktit mes tyre si dhe reduktimit të numrit të trupave amerikane në Afganistan nga 13 mijë në 8,600, transmeton VoA.

Presidenti amerikan Donald Trump u bëri thirrje Talebanëve dhe qeverisë afgane që “të shfrytëzojnë këtë mundësi për paqe” dhe tha se nëse ata do të zbatojnë angazhimet, do të hidhen baza të fuqishme përpara për t’i dhënë fund luftës në Afganistan dhe të rikthimit të trupave amerikane në atdhe.

Sekretari i Mbrojtjes Mark Esper lëshoi gjithashtu një deklaratë të përbashkët me qeverinë e Afganistanit.

Marrëveshjes të së shtunës i parapriu një armëpushim 7 ditor mes SHBA-së e Talebanëve që hyri në fuqi shtatë ditë më parë, e që dëshmoi sukses në zbatim.

Marrëveshja historike me kryengritësit talibanë mund t’i hapë rrugën tërheqjes së plotë të forcave të huaja ushtarake nga Afganistani gjatë 14 muajve të ardhshëm. Ajo paraqet një hap përpara drejt përfundimit të luftës rreth 19-vjeçare atje. Ndërsa marrëveshja i hap rrugën Shteteve të Bashkuara për tërheqje graduale nga lufta e saj më e gjatë, shumë presin që bisedimet që do të pasojnë këtë moment mes shumë palëve të ndryshme në Afganistan do të jenë shumë më të komplikuara.

Marrëveshja u nënshkrua në kryeqytetin e Katarit, në Doda nga i dërguari i posaçëm i SHBA-së Zalmay Khalilzad dhe shefi politik i grupit Taleban Mulla Abdul Ghani Baradar. Sekretari i Shtetit Amerikan Mike Pompeo e përshëndeti marrëveshjen dhe e cilësoi si “mundësia më e mirë për paqe” në Afganistan.

Sot është një ditë historike për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe popullin Amerikan. Sot ne kemi ndërmarrë një hap vendimtar drejt paqes së vërtetë, në këtë vend. Sot ne jemi realistë. Po shfrytëzojmë mundësinë më të mirë për paqe në një gjeneratë të bazuar në punën e palodhur të ushtarëve tanë, diplomatëve, biznesmenëve, punonjësve të ndihmës, miqve dhe vetë afganëve. Ne besojmë se populli afgan është i gatshëm të ndjekë kursin e vet përpara. Sot, pas javës së parë të armëpushimit më të gjatë të arritur ndonjëherë në rreth gati 19 vite, unë jam krenar të njoftoj se Shtetet e Bashkuara kanë siguruar angazhime nga Republika Islamike e Afganistanit dhe Talibanët për të zhvilluar negociata për paqen. Më e rëndësishme, marrëveshja mes SHBA-së me grupin Taliban përfshin një premtim nga Talebanët që terroristët nuk mund të veprojnë më kurrë në tokën afgane“.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Mark Esper ndërkohë po zhvillon një vizitë në Kabul për të cilën zyrtarët dhe ekspertët thanë se kishte për qëllim të siguronte qeverinë afgane mbi angazhimin e Shteteve të Bashkuaraa për vendin.

Marrëveshja u përshëndet të shtunën edhe nga sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg. Ai tha përpara nënshkrimit se “paqja do të jetë një proces i gjatë dhe i vështirë dhe se ne duhet të jemi të përgatitur për pengesat dhe çdo akt që do të kërkojë ta prishë atë. NATO e mbështet këtë marrëveshje paqeje“.

Sipas z. Stoltenberg, NATO është e përgatitur për të ulur numrin e trupave në vend, por nëse situata do të përkeqësohej aleanca do të rriste sërisht praninë e saj në Afganistan.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close