RMV, a do të ketë kontroll të arkave partiake gjatë fushatës?

Sikurse para të gjitha cikleve zgjedhore edhe para këtyre zgjedhjeve, financimi i fushatës politike është një nga çështjet që do të jetë në fokus të publikut. Nata që i njohin mirë këtë problematikë përkujtojnë se në të kaluarën ka pas dyshime për financim të paligjshëm, por deri më tani askush nuk ka bartur përgjegjësi.

Financimi i fushatës politike, në përputhje me ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor, është një nga çështjet për të cilën Ministrja e drejtësisë Renata Deskovska dhe përfaqësuesit e Entit shtetëror për auditim dhe Komisionit shtetëror për parandalim të korrupsionit duhet të zhvillojnë edhe një takim këto ditë. Detajet e takimit nuk janë njoftuar deri më tani, ndërsa nga KShZ shkurtimisht kanë thënë se qëllimi i takimit ishte të gjendet mënyrë më e mirë për t’iu përgjigjur më mirë sfidave të reja me të cilat do të përballen gjatë realizimit të zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 12 prill, transmeton REL.

Ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor u miratuan më 15 shkurt, përkatësisht një ditë para se të shpërndahet kuvendi. Në pjesën e financimit të fushatës, sipas ndryshimeve të fundit në ligj, partia duhet të mbyllë llogarinë brenda 60 ditëve (jo tre muaj) nga dita e shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve. Pas mbylljes së tij ka 30 ditë kohë për të dorëzuar raportin përfundimtar financiar për tërë fushatën pranë institucioneve përkatëse, siç janë KShZ, Komisioni shtetëror për parandalim të korrupsionit (KShPK), Enti shtetëror i auditimit (EShA) dhe Kuvendi i RMV-së, si dhe të publikohet.

Sipas ndryshimeve në ligj, neni 84 b (paragrafi 1) zëvendësohet me sa vijon:

(1) “Pjesëmarrësi i fushatës zgjedhore është i detyruar që brenda 20 ditësh nga dita e hyrjes në fuqi të heshtjes zgjedhore për raundin e parë dhe raundin e dytë të votimit, nëse mbahet, të paraqesë raport ku specifikohen kostot dhe shpenzimet e llogarisë së transaksionit për fushatë zgjedhor nga dita e hapjes saj deri në fund të raundit të parë të zgjedhjeve. ”

Paragrafët (2) dhe (3) do të ndryshohen dhe do kenë këtë përmbajtje:

“(2) Pjesëmarrësi në fushatën zgjedhore është i detyruar që në ditën e 11 të fushatës zgjedhore të paraqesë një Raport me formular për donacionet e pranuara në llogarinë e transaksionit nga neni 71 paragrafi (1) për financim të fushatës zgjedhore.

(3) Pjesëmarrësi në fushatën zgjedhore është i detyruar një ditë pas përfundimit të fushatës zgjedhore të paraqesë Raport mbi donacionet e pranuara në llogarinë e transaksionit nga nenin 71 paragrafi (1) për financim të fushatës zgjedhore. ”

Në rast të parashtrimit të kundërshtimit për mosrespektim të dispozitave për financim të fushatës zgjedhore nga ky Kod, Komisioni shtetëror për parandalim të korrupsionit është i detyruar të hetojë pretendimet dhe të vendosë për kundërshtimin e paraqitur brenda pesë ditësh nga paraqitja e kundërshtimit.

Nëse Entit shtetëror për auditim konstaton parregullsi në raportet financiare  të pjesëmarrësit në fushatë zgjedhore nga neni 84b që janë në kundërshtim me dispozitat e këtij Kodi, atëherë EShA paraqet një kërkesë për fillimin e një procedure kundërvajtëse ose kallëzim te prokurori publik kompetent brenda tre ditësh nga dita e konstatimit të parregullsive.

Pas paraprakisht do të mbyllin llogarinë e transaksionit të dedikuar posaçërisht për zgjedhjet, partitë e kanë për detyrë të paraqesin raportet e tyre financiare përfundimtare të fushatës, ndërsa EShA ka 60 ditë për të kontrolluar raportet. Drejtori i Entit për auditim Maksim Acevski, në një intervistë për radion tonë, para pak kohësh ka thënë se kjo është pikërisht një nga dobësitë e ligjit sepse krijon mundësi që partitë politike që marrin pjesë në procesin zgjedhor të pranojnë donacione pas përfundimit të procesit zgjedhor, përkatësisht deri në momentin kur të mbyllin llogarinë, e kjo është brenda 60 ditësh pas përfundimit të zgjedhjeve, përkatësisht pasi të jenë shpallur zyrtarisht rezultatet e zgjedhjeve.

“Shtrohet pyetja dhe përgjigjja është logjike, kur dihet fituesi i secilit proces zgjedhor, çdo donator do të dëshironte të jep donacion për partinë politike që i ka fituar zgjedhjet, e jo asaj që i ka humbur. Propozimi ynë ishte në thelb krijimi i kushteve të barabarta për të gjitha partitë politike dhe e drejta që donacionet të paguhen derisa zgjat fushata zgjedhore, me përfundimin e fushatës zgjedhore të parandalohet dhënie donacione për partitë politike për të siguruar drejtësi dhe pjesëmarrje të drejtë për të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor. Sugjerimi ynë nuk u pranua dhe besoj se një të ardhme të afërt kjo do të përfshihet në Kodin Zgjedhor ”, tha Acevski në intervistë.

Financimi i paligjshëm dhe lëshimet që partitë i bëjnë në pjesën e financimit të fushatës, por dhe llogaritë e dedikuara që i mbyllen me borxhe në vend se me bilanc zero ose me tepricë, kanë qenë shembull i shpeshtë në shoqërinë e Maqedonisë. Ata që kanë njohuri në këtë fushë thonë se përkundër paralajmërimeve nga institucionet përkatëse për lëshime të caktuara nga palët, asnjë rast deri më tani nuk ka përfunduar me zgjidhje ligjore.

Përvoja e deritanishme tregon që partitë janë financuar në mënyrë kriminale dhe se askush nuk bart përgjegjësi për atë gjë, thotë ish anëtari i antikorrupsionit Arif Musa.

“Kemi pasur keqpërdorim klasik të mjeteve buxhetore. Financimi i fushatave në të zezë përmes shpërdorimit të pushtetit për financim të fushatave, etj. Nuk është çështje e mungesës së ligjeve, por e moszbatimit. Në teori kemi ligje të shkëlqyera, kemi institucione, por mosveprimi i tyre është problem, kemi nevojë për vullnet dhe organe shtetërore të gatshme për të zbatuar ligjin, duke filluar që nga EShA, Komisioni kundër korrupsionit e deri te Prokuroria”, thotë Musa.

Ligji për parandalim të korrupsionit, i cili e përcakton fushëveprimin e komisionit antikorrupsion në pjesën e ndalimit të përdorimit të burimeve anonime për financim gjatë zgjedhjeve, theksohet që “nëse shfaqet dyshimi se një parti politike ose kandidat në zgjedhje ka përdorur mjete të paligjshme, ose nga burime anonime, Komisioni shtetëror do të kërkojë prej autoriteteve kompetente të verifikojnë burimin e fondeve dhe se kjo nuk përbën një shkelje të sekretit bankar.

Për të pasur kontroll më të madh mbi paratë që partitë i shpenzojnë, Kodi Zgjedhor gjithashtu përcakton që të gjitha fondet e destinuara për të financuar fushatën zgjedhore do të paguhen në llogarinë e transaksioneve të partisë dhe të gjitha shpenzimet e fushatës do të mbulohen ekskluzivisht nga fondet për atë qëllim (neni 71 paragrafi 10)

Por, përkundër kësaj dispozite, sipas cilës të gjitha detyrimet që do të krijohen gjatë fushatës zgjedhore duhet të mbulohen ose paguhen nga llogaria e dedikuar për atë qëllim, njohësit e rrethanave thonë që në praktikë kemi situatë tjetër.

Rasti i fundit i tillë ishte raporti i VMRO-DPMNE-së pas zgjedhjeve presidenciale, kur në vend që llogaria të mbyllej me bilanc zero, përkatësisht në llogarinë e posaçme të mos kishte asnjë borxh ose para të tepërta, në atë llogari kanë mbetur 400.000 euro borxh, në bazë të faturave të papaguara ndaj firmave shërbimet e të cilave partia i kishte përdorur gjatë fushatës.

Ndërkohë, në periudhën nga 2016 deri në 2018, Enti shtetëror i auditimit ka dërguar gjithsej 42 raporte në Prokurori publike, pastaj 8 në Komisionin kundër korrupsionit, 4 në MPB dhe 2 në Policinë financiare. Për shumicën e tyre nuk ka informata mbrapa, thonë na EShA.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button