Ali Ahmeti ngushëllon popullin amerikan

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, i ka shprehur ngushëllime popullin amerikan, prindërve dhe familjeve që humbën më të dashurit e tyre, për ngjarjen në Newtown, Connecticut, NY. 

“Lëndimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe dhimbjen e popullit amerikan, shqiptarët e ndjejnë thellë çdo herë, por njëkohësisht edhe ndajnë hidhërimin e pafund me qytetarët e SHBA-së, në veçanti kur bëhet fjalë për ngjarje kaq shqetësuese ku pakuptueshëm humbin jetën fëmijë nga një akt çmendurie njerëzore siç ishte rasti tmerrues në Newtown, Connecticut.

Të gjithë anëtarët dhe përkrahësit e Bashkimit Demokratik për Integrim ndajnë dhimbjen e familjarëve në këto çaste të vështira për gjithë kombin amerikan, për prindërit, arsimtarët dhe nxënësit, andaj më lejoni ju lutem që në emër të të gjithë neve tek Bashkimi Demokratik për Integrim, si dhe në emrin tim personal, t’ju shpreh ngushëllimet tona më të sinqerta për familjet e viktimave të këtij akti të marrëzisë i cili na lëndoi të gjithëve.

Lutjet tona i dedikohen prindërve dhe familjeve që humbën më të dashurit e tyre në këtë akt të tmerrshëm dhe ju sigurojmë që qëndrojmë pranë jush gjithëmonë, në çaste krenarie dhe në kohë dhimbjeje, ashtu siç qëndruat ju pranë nesh, siç edhe vet Sekretarja Klinton e theksoi në Tiranë, në 100 vitet e kaluara, por do të qëndroni edhe në 100 vitet e ardhshme, përgjithmonë. Zoti e bekoftë popullin amerikan dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në telegram ngushëllimin e kreut integrist Ali Ahmeti. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button