(video) Shaqiri shpëton Bayernin

Xherdan Shaqiri ka arritur të shënojë dhe ta lë së paku një pikë në Allianz Arena për ekipin e tij, Bayernin e Munichut, në sfidën zhvilluar ndaj Borussia Monchengladbach.

Ishte kjo një ndeshje tejet interesante, ku u paraqitën dy prej lojtarëve më të mirë shqiptarë aktualisht në futbollin evropian, Xherdan Shaqiri për Bayernin dhe Granit Xhaka për Monchengladbachun. Ata luajtën si zëvëndësues dhe nuk ishin titullarë.

Sidoqoftë, ndeshja që u prit të ishte fitore e lehtë për Bayernin, në fakt ishte shumë më ndryshe. Marx kaloi mysafirët në epërsi nga penaltia pas 21 minutash lojë, për të nxehur atmosferën në Allianz Arena.

Në minutën e 38-të nga loja u largua Javi Martinez, teksa atë e zëvëndësoi Xherdan Shaqiri, i cili u tregua vendimtar.

Pas një ore lojë (59’), ishte Shaqiri ai që nivelizoi rezultatin për të shënuar për 1-1 dhe kthimin e bavarezëve në lojë për fitore.

Sidoqoftë, përkundër tentimeve dhe rasteve të shumta, skuadra e Granit Xhakës, i cili u inkuadrua në minutën e 76-të, arriti të mbajë rezultatin dhe ndeshja mbaroi me rezultat të barabartë 1-1.

Bayerni mbetet lider përkundër barazimit me 42 pikë, 12 pikë më shumë se sa Leverkusen në vendin e dytë dhe 15 më shumë se sa Dortmundi në vendin e tretë. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button