Delegacioni i BE-së i ftoi televizionet, operatorët dhe qeverinë që të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme për mosmarrëveshjen

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shkup u bën thirrje qeverisë, stacioneve televizive dhe operatorëve kabllorë në vend që të negociojnë dhe të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme të mosmarrëveshjes që mund të çojë në ndërprerjen e transmetimit të kanaleve televizive vendase dhe të huaja nga operatorët në vend, transmeton Meta.mk.

Delegacioni i BE-së kujton që marrëveshja e arritur duhet të respektojë rëndësinë e lirisë së shprehjes, lirisë së mediave dhe qasjes deri te informacionet për të gjithë qytetarët. Duke vepruar kështu, zgjidhja e qëndrueshme duhet të jetë e pranueshme për të gjithë operatorët e tregut dhe të sigurojë zbatimin e të drejtave të pronësisë intelektuale.

“Delegacioni i BE-së është i gatshëm të sigurojë ndihmë të mëtejshme teknike për të forcuar kornizën ligjore dhe të sigurojë përmbledhje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të rregullave për sektorin e mediave për të gjithë aktorët relevantë”, theksohet në komunikatën që e kanë dërguar.

Operatorët janë kërcënuar se më 2 mars, në mesnatë, do të ndërprejnë ritransmetimin e të gjitha kanaleve televizive vendase dhe të huaja, nëse nuk gjendet zgjidhje për ndryshimet e miratuara në Ligjin për shërbime audio dhe audiovizuele mediatike që u miratuan më 16 shkurt. Ata i konsiderojnë që ndryshimet e miratuara ligjore janë të papranueshme, pasi vetë ligji është i pazbatueshëm dhe vetë operatorët nuk mund të garantojnë që të drejtat e autorit të programit të transmetuar nga kanalet televizive vendase dhe të huaja janë të rregulluara.

Nga ana tjetër, shtëpitë televizive i mbështetën ndryshimet ligjore, duke theksuar se operatorët po ritransmetojnë kanale televizive pa të drejtat e rregulluara autoriale për vendin tonë. Në këtë mënyrë, televizionet vendase dëmtohen pasi disa nga kanalet e huaja transmetojnë seri, programe muzikore-argëtuese, filma dhe ngjarje sportive për të cilat shtëpitë mediatike kanë paguar për të blerë të drejtat autoriale për transmetimin e tyre në territorin e vendit tonë.

Teksti është prodhuar në kuadër të projektit “Opservatori i reformave në media” të cilin e zbaton Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, me mbështetje financiare nga “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.

Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merret se i pasqyron pikëpamjet e “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button