Komiteti i Helsinkit: Punëdhënësi nuk guxon të largojë nga puna grua shtatzënë

Një punëtore shtatzënë ka kërkuar ndihmë juridike nga Komiteti i Helsinkit sepse punëdhënësi i saj e ka ndërprerë, në mënyrë të paligjshme, marrëdhënien e punës derisa ajo kishte shfrytëzuar pushim mjekësor, informojnë nga komiteti, njofton Portalb.mk.

Bëhet fjalë për punëtore të cilës, pasi e ka njoftuar punëdhënësin e saj se ishte shtatzënë, menjëherë i kanë ndërpre kontratën e punës. Punëdhënësi ia ka dorëzuar vendimin për largim nga puna punonjëses derisa ajo kishte qenë në pushim mjekësor, me arsyetim se ajo kishte munguar pa arsye nga puna në periudhën e kaluar, që është shkelje e dispozitave të Ligjit për marrëdhënie pune.

“Është simptomatike që punëdhënësi si arsye për largim nga puna e thekson mungesën e pretenduar të punëtores nga puna, ndërsa ajo asnjë herë më parë nuk kishte pranuar ndonjë paralajmërim të tillë. Rasti është raportuar në Inspektoratin shtetëror të punës, i cili pas inspektimit të jashtëzakonshëm ka konstatuar shkelje të Ligjit për marrëdhënie të punës nga punëdhënësi dhe diskriminim të punëtores. Inspektorati shtetëror i punës me vendimin e tij e ka shfuqizuar vendimin për ndërprerje të marrëdhënies së punës të punëtores dhe e ka ngarkuar punëdhënësin që ta kthejë punëtoren në punë. Punëdhënësi ka vepruar sipas urdhrit të Inspektoratit shtetëror të punës dhe e ka kthyer punëtoren në punën e saj”, thuhet në komunikatën e Komitetit të Helsinkit.

Komiteti përkujton se punëtoret shtatzëna gëzojnë mbrojtje të veçantë sipas ligjit të punës të Maqedonisë.

“Punëdhënësi nuk guxon t’ia anulojë kontratën e punës së punëtores gjatë shtatzënisë, as gjatë mungesës për shkak të pushimit mjekësorë. Nëse punëtorja ka bërë shkelje më serioze të detyrimeve kontraktuale, kontrata e punës mund të anulohet vetëm me pëlqim paraprak të sindikatës, anëtar i së cilës është punëtorja ose me pëlqim të Inspektoratit shtetëror të punës”, shtohet në komunikatë.

Këto veprime të punëdhënësit, vlerësojnë nga Komiteti i Helsinkit, përbëjnë diskriminim të drejtpërdrejtë ndaj punëtores mbi baza gjinore dhe statusit të saj personal dhe janë të ndaluara me Ligjin e punës dhe Ligjin për parandalim dhe mbrojtjen nga diskriminimi.

“Ky rast e pasqyron praktikën e zakonshme të punëdhënësve në diskriminimin e grave për shkak të seksit, gjinisë, statusit personal, familjes ose statusit martesor dhe e vërteton lëndueshmërisë dhe ndjeshmërinë e veçantë të diskriminimit të grave shtatzëna në fushën e punësimit dhe marrëdhënieve të punës. Rastet e tilla e theksojnë më tej nevojën për të përafruar legjislacionin e brendshëm të punës me atë të Bashkimit Evropian dhe me standardet e Organizatës ndërkombëtare të punës, me qëllim të parandalimit dhe mbrojtjes më të mirë kundër diskriminimit ndaj grave në fushën e punës dhe marrëdhënieve të punës. Nëse vlerësoni se jeni viktimë e diskriminimit, raportoni rastin tuaj pranë Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut”, thonë nga Komiteti i Helsinki.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button