Ka qitë dreqi pushkë mbi ne…

Kur më 1912 u bë Shqipëria e mosvarme, Rilindësit që e ringjallën atë nga hiri e dinin se, pas këtij akti të ëndërruar me shekuj, i priste beteja e madhe për bërjen e shqiptarit, i cili nuk ka mjaftueshëm dashuri për vetveten.

Gjergj Fishta, ndërkaq, i bindur se: Pa nji bashkim t’vërtetë s’ka për t’ague për ne agimi kurrë, por gjithmonë nata, e marrja e skami kanë për t’na ngushtue…, para 113 vitesh shkroi vjershën Koha e arit në Shqypni, e cila, ngjashëm si shumë të tjera, duket si e bërë enkas për budallallëqet e kohës sonë.

Kjo dëshmohet gjithandej ku jetojmë të degdisur nëpër shtetet e Ballkanit, që ushtrojnë mbi ne hegjemonizmin, jo pse janë më të fuqishëm, po pse ne jemi të përçarë e të butakëzuar për mëshirim.

A keni dëgjuar, fjala vjen, ndonjë debat serioz për të mirën e Shqipërisë në Kuvendin e saj? Kur janë pajtuar pozita me opozitën për ndonjë çështje jetike për të ardhmen ndryshe të vendit? Gati kurnjëherë, sepse janë spicat, fyerjet dhe sharjet më banale ato që mbushin eterin e politikës shqiptare. Madje dhe kanosjet me likuidime fizike…

Të njëjtë janë edhe politikanët e Kosovës, ata të subjekteve politike të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut e të Luginës së Preshevës… Të gjithë janë të armiqësuar keq me njëri-tjetrin, ndaj nuk arrijnë ta gjejnë dot udhën e pajtimit dhe të kompromiseve ndërvëllazërore që do t’i bënte më të fortë karshi politikave gjithmonë kubare dhe rigjide të të tjerëve.

Kjo ndasi ma kujton udhëtimin me dy aeroplanë të ndryshëm të kryeministrit dhe kryetarit të Kosovës, të cilët, pak kohë pas luftës, morën pjesë në një takim të rëndësishëm ndërkombëtar pa asnjë harmonizim qëndrimesh, në një kohë kur duhet të ishin më unikë se kurrë, sepse populli mbijetonte nëpër skutat e shtëpive të shkrumbuara nga piromanët e kasapit serb. Mbremjen e ditës kur ndodhi ky udhëtim i pakuptimtë për cilindo vend normal, në një emision televiziv ishte ftuar një baba që i kishte  humbur të gjithë djemtë në luftë (3 apo 5 nuk më kujtohet). Në pyetjen e gazetarit se si ndihej tani kur Kosova më në fund ishte e lirë, plaku tha: Ndihem krenar që djemtë e mi e dhanë jetën për lirinë e Kosovës, po kur i shoh inatet dhe hasmëritë e prijësve tanë, që shkojnë të ndarë para diplomatëve të botës, besa më dhimbsen fort djemtë…

Tani, kush e di, pushka e dreqit e shkrepur mbi ne apo yshtja e euro-dollarëve e mban sot e gjithë ditën të përçarë parësinë shqiptare – nuk i lë të bëhen bashkë për asnjë interes madhor kombëtar as kryeministrin dhe kryetarin e Shqipërisë as kryeministrin dhe kryetarin e Kosovës, të cilët vazhdojnë të përfaqësojnë të përçarë shtetet prona të tyre (pjesë e këtij mekami uroj të mos bëhet dhe kryeministri aktual i Kosovës…); i katandis krerët e subjekteve pilitike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, i shtyn të ngulin këmbë në pozicionet inatçore: as te hapa as te hupa (më afër tjetrit se vetvetes), kurse liderët e subjekteve politike shqiptare të Luginës së Preshevës i nxit gjithashtu të hanë kokën e njëri-tjetrit për interese meskine dhe pushtete fiktive, gjersa të shpërngulet përgjithmonshëm nga vatra e të parëve edhe shqiptari fundit.

Në vija të trasha, kjo është arsyeja përse nuk u besoj përrallëtarëve, sipas të cilëve shekulli XXI qenka i shqiptarëve!? I tillë mund të ishte po të ishim sjellur ndryshe, të paktën përgjatë 30 a 20 viteve të shkuara dhe po të mos e gjenim  veten akoma sot në vargjet e poezive si kjo e At Gjergj Fishtës:

KOHA E ARIT NË SHQYPNI

…Sod ma shpejt nji thes me pleshta

Ti ban bashkë se dy Shqyptarë.

Sa janë fise permbi dhe

Me bashkim kto n’dritë kanë dalë:

Ka qitë dreqi pushkë mbi ne

Mos me u ba dy vetë m’nji fjalë.

Perse ktu kujton se i cilli

Se ka mend edhe me shitun:

Thue se mendja e hollë e kshilli

Vijne prej vedit n’krye tu’u rritun.

Jo, he paça ! S’janë mendt firi

Per me u rritë neper morriza:

S’asht ba i dijshem kush pa hiri,

Ndejë pështetë e tue njehë miza…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button