Koronavirusi, Filipçe: Një qytetar nga Strumica dhe dy nga Bullgaria janë në izolim shtëpiak

Një qytetar nga Strumica i cili më 22 shkurt është kthyer nga Italia sot është në testim për Koronavirus për shkak të temperaturës së lartë dhe dy bullgarë të cilët punojnë në kombinatin bujqësor “Pellagonia” janë në izolim shtëpiak në Manastir, konfirmoi në konferencë për shtyp, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, njofton Portalb.mk.

Punëtorët nuk kanë simptoma të Koronavirusit, por janë nën mbikëqyrje shëndetësore pasi që paraprakisht kanë qenë në Itali, derisa qytetari nga Strumica deri më tani nuk ka kurrfarë të dhëna se është i sëmurë. Rezultatet priten brenda ditës.

“Shtetasit bullgarë do të jenë në izolim shtëpiak, gjegjësisht nën mbikëqyrje shëndetësore për 14 ditë. Në këtë periudhë do të ndiqen, gjegjësisht do të komunikohet me inspektorë dhe kompetentë nga Qendra për Shëndet Publik. Ata nuk kanë simptoma të sëmundjes, por patjetër duhet ta kalojnë atë periudhë prej 14 ditëve nën mbikëqyrje shëndetësore”, tha Filipçe.

Ai informoi se mendohet për kufizimin e tubimeve publike, për çka sot në seancë do të diskutohet edhe në Qeveri dhe do të miratohet vendim.

“Propozimi ynë është që të ndalohen të gjitha tubimet publike ku ka numër të madh të njerëzve pa dalim nëse janë jashtë ose në hapësira të mbyllura. Vlerësoj se duhet që të anulohen të gjitha  tubimet e mëdha publike përfshirë edhe lojërat sportive”, tha Filipçe dhe shtoi se propozimi është që ndalesa të vlerë një javë dhe pastaj nëse ka nevojë të vendoset nëse do të vazhdohet.

Deri më tani personi i vetëm me infektim me Koronavirus mbetet pacientja e hospitalizuar e cila gjendet në Klinikën për Sëmundje Infektive në Shkup, e cila me furgon ka udhëtuar prej Milanos.

Pacientja, tha Filipçe. Ndjehet mirë dhe sipas mjekëve tanimë hynë në fazën e përmirësimit të gjendjes shëndetësore.

Mbeten në fuqi rekomandimet që kompanitë dhe institucionet të mos u lejojnë të punësuarve që kanë udhëtuar në Itali, të shkojnë në punë pasi që ata duhet të kalojnë 14 ditë në izolim shtëpiak – aq sa zgjatë inkubacioni i virusit, por edhe rekomandimi që të mos udhëtohet në vendet ku ka epidemi, pa ndonjë nevojë të madhe.

Korona virusi së pari u paraqit në Wuhan të Kinës. Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë së Kinës ka bërë të ditur se numri i të vdekurve nga përhapja e koronavirusit të ri në Kinë është rritur në 2.790.

Nga komisioni kanë njoftuar se në 24 orët e fundit nga koronavirusi kanë humbur jetën 44 persona ndërsa janë regjistruar 327 raste të reja të infektimit, duke çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 78.824.

Komisioni gjithashtu ka informuar se 7.952 persona janë në gjendje kritike.

Nga 44 rastet e fundit të vdekjeve, 41 janë regjistruar në provincën Hubei që është epiqendra e përhapjes së koronavirusit ndërsa dy raste janë regjistruar në Pekin dhe një në rajonin autonom Xinjiang.

Rreth 65.225 persona aktualisht janë nën kujdesin mjekësor ndërsa numri i pacientëve të liruar arrin rreth 36.117.

Jashtë Kinës, ka 93 raste të regjistruara në Hong Kong dhe 10 të tjera në Makao.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button