Kah shkojmë?

Njëqindvjetori i pavarsisë dhe i ditës së flamurit në mënyrë tejet të fokusuar hudhën në sipërfaqe fotografinë reale në marrëdhëniet ndëretnike në shtet. Vlersimi general është se ata shkojnë drejtë një ndarje serioze psikologjike. Analizat e bëra nga UNDP pas konfliktit të viti 2001 tregojnë se asaj kohe që të dy bashkësitë etnike shkonin drejtë një kohezioni progresiv. Madje afro gjysma e Shqiptarëve kishte mirëkuptim për çështjen e emrit të bashkëkombasve të tyre. Poashtu edhe në taborin maqedonas kishim progress sa i përkiste perceptimeve për Marrëveshjen e Ohërit. Kështu, derisa në vitin 2002 vetëm 17 për qind të Maqedonasve përkrahnin Marrëveshjen e Ohërit, kjo përqindje në vitin 2006 u ngrit në 53 për qind. E çka ndodhi ndërkohë që gjendja mori përmasa dramatike keqësimi?

Me ardhjen e VMRO-së në pushtet punët dukshëm ndryshuan. Që në start të mandatit të vet kjo parti vuri në dije se synon vënien e moratoriumit në sferën e marrëdhënieve ndëretnike në shtet, madje se do të bëjë edhe disa revidime në këte plan. Me këte ajo kënaqi një pjesë të elektoratit me mentalitet rural të cilët zëshëm lëvdonin premierin se “tokmu taka treba so Shiptarite”. Së shpejti atë sinjal e pat pranuar edhe udhëheqësia e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë dhe loja e rrezikshme tani më ishte gati të fillojë. Në ndërkohë, struktura nacionaliste të pushtetit e vunë në lëvizje edhe një pjesë të rinisë tifoze të cilët kishin për detyrë që të krijojnë atmosferën e duhur. Kështu ndodhi Nerezi, i cili duheshte të jetë alarmi serioz për pushtetin se gjendja shkonë drejtë dramatizimit. Por, pushteti jo vetëm që mbylli sytë që të mos shef gjë, por ai mbylli edhe veshët që të mos dëgjojë asgjë.

Kjo ishte dritë jeshile që të fillojë një histeri e paparë nëpër stadiume me ofendimet për “kletite Shiptari” dhe “Gocevata raca”. Kjo shkaktoi reagim duke ua këthyer me “umrete kauri” dhe gjithçka vazhdoi në spiralen e vet me shumë incidente nëpër autobusa urbanë. Atmosfera e krijuar nga hendbolli ishte kulminacion i një pamendësia të dirigjuar nga një rregjim gjer në fund i papërgjegjshëm. Pushteti vazhdimisht në mënyrë direkte apo indirekte ndihmonte urrejtjen. Flamuri i vjetër maqedonas në dimenzione që pat mbuluar të gjithë sheshin e Shkupit ishtë një hije e këndshme për iracionalitetin, por një përzhitje për racionalitetin. Nga ky moment në këto treva u inauguruan garat për ate se kush do të valojë flamurë më të madhë.

Kulminacion i çmendurisë ishte startimi i projektit “Shkupi 2014” i përcjellë edhe me disa ligje apsurde siç ishtë për shembull Ligji mbi natalitetin. Poashtu në manifestimet e rëndësishme publike, elementi shqiptar ose ishtë simbolikisht prezent ose nuk figuronte fare. Dominonte etnocentrizmi dhe monoreligjionizmi. E gjithë kjo krijonte paknaqësi ndër Shqiptarët, e cila në kontinuitet shndërrohej në energji negative kundruall pushtetit dhe ishte çështje momenti se kur do të del në sipërfaqe. Të ndihmuar nga përfaqësues shqiptarë nga trojet tjera, Shqiptarët vendas sikur kishin nevojë të demostrojnë fuqi ndaj pushtetit të Gruevskit, duke dashur që t’ia vënë në dije se ai nuk është më shumë se një luan prej letre.

Mbetet e pazbërthyer se përse gjatë gjithë devalvimit të pjesës Shqiptare në Maqedoni, subjekti politik shqiptar qëndronte në pozita inferiore. Ishte ajo se dëshironte para faktorit të jashtëm ta etiketonte premierin si nacionalist e pastaj të veproj apo është në pyetje diçka tjetër. Një mik i im relevant nga Kosova këte sjellje e komentoi në këtë mënyrë; “VMRO çdo dite BDI-së i hudhte nga një bombë në oborin e saj, kurse kjo nuk mundi t’ia këthente as me petarde. Mandej dikush ia bëri me sy dhe ajo i hudhi bombë atomike”. Shakat anësh, fakt është se njerëzit kyq të pushtetit në vazhdimsi sikur kishin nevojë që të çojnë mesazhe për ate se kush është patron në shtet. Një gjë e tillë vazhdimisht iritonte Shqiptarët dhe nuk është e rastit që premieri Gruevski ndër ta qëndron në fund të rangimit. Por, si duket ajo atë nuk e brengoste, madje sikur edhe i shkonte për shtati. Madje Shqiptarëve nuk iu mundësua të udhëheqin me asnjërën nga tri funksione kyq në shtet, gjë e cila çone të mendohet se ata konsiderohen si qytetarë të dorës së dytë dhe si element i padëshiruar.

Të përkujtojmë se pas 22 vitesh pluralizëm, kur në mes të Sllovenisë fitojnë zgjedhjet një Serb dhe një zezak afrikan, apo kur në SHBA rishtas fiton zezak për kryetar shteti (edhe pse zezakët atje janë vetëm 12%), në Maqedoni disa funksione janë të ndaluara për Shqiptarë. Diskriminimi mbetet i thellë edhe në sferën ekonomike. Edhe ato pak investime nga jashtë, të gjitha orientohen nga pjesa lindore e shtetit – ,,Jonson Controls,, (investim shtesë) ,,Johnson Meti,, (poashtu investim shtesë) ,,Technnohaze Kemet Electronics,, ,,Cromberg & Shubert,, ,,Prota,, , projekti për Kavadarin etj. Vlera e tyre do të arrijë në afro një miljard euro, kurse priten të punësohen rreth 15 mijë veta. Një dikriminim i tillë mund të përfundojë shumë keq jo vetëm për Shqiptarët. 

Manipulimi me emrin është tregim në vete. Edhepse gjithë kohën pushteti thirrej në çështje identiteti, në fakt ai kishte qëllim krejt tjetër – maskimin e grabitjes shekullore të cilën ne të gjithë do të duhet ta paguajmë. Nga ana tjetër, për identitetin shqiptar sikur askush nuk brengosej, madje edhe kur ai nënçmohej. Nuk ka asnjë logjikë nëse gjoja për shkak të identitetit njëra bashkësi etnike nuk ndryshon asnjë germë nga emri i shtetit, kurse në anën tjetër një popullate të tërë i kontestohet emir i vërtetë, duke u thirrë “bashkësi që është më tepër se 20%”. Paradoksale është që një identitet të shpallet i shejtë, kurse tjetri të satanizohet. Atëherë kemi problem me vlerat themelore të një shoqërie demokatike. Problemi duhet të zgjidhet ashtu që çdo gjë që i mundësohet njërit komunitet duhet edhe tjetrit.

Të përkujtojmë se gjithëherë patriotët e rejshëm kanë shkatëruar popujt e vet. Ajo i ndodhi edhe një Gjermanie të fuqishme të paraluftës. Edhe një Serbie të fuqishme. Edhe shumë popujve tjerë. Njerëzit kanë nevojë për zhvillim dhe progres të qëndrueshëm në të gjitha sferat, e jo për patriotizme të rejshme. Kjo që tani dy dekada është duke ndodhur paraqet nënçmim tejmas të njerëzve, paraqet shkelje të dinjitetit dhe fatit të tyre. Kjo nuk mund të ndodhë as në fiset amazon që jetojnë jashtë çdo kontakti me civilizimin. Është ndërtua një praktikë më tepër se anormale, ku njerëzit ekzistojnë për mirëqenien e politikanëve. Madje ata duhet të jenë gjithë jetën flijim nderi për këte “ideal madhor”. Këso politikanësh që ia dyfishuan borxhet popullit të vet kurse ia përgjysmuan standardin jetësor, mbijetojnë duke mbajtur peng instiktin e njerëzve për rangim të vlerave. Kështu i detyruan që masovisht t’i lëshojnë vatrat e tyre dhe të shkojnë kudo që të jetë, pasi çdokush tjetër mund t’u ofrojë më shumë se sa vendlindja e tyre. Punët nuk shkojnë si duhet, e pastaj presim që ndokush tjetër të na e bëjë me sy për ate që duhet vet ta kryejmë. A sa për arsyetime, jemi të talentuar tejmasë për t’i gjetur. 

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button