Hoxhaj: Hiqeni taksën, mos vendosni as reciprocitet

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kërkuar nga Qeveria që ta heq taksën 100 për qind nga mallrat serbe dhe atyre të Bosnje Hercegovinës dhe të mos e zëvendësojë atë me reciprocitet, transmeton Koha.net.

Ai përmes një statusi në Facebook ka shkruar se interesi shtetëror i Kosovës është i pandashëm me interesin nacional të SHBA-së.

“Qëllimi ynë është përmbyllja e shtetndërtimit! Si anëtar i qeverisë që kam propozuar tarifën, sot mendoj që ajo duhet të largohet dhe të mos vendoset as reciprociteti! Tarifa ka qenë mjet dhe jo qëllim! Qëllimi ynë është anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe njohja ndërkombëtare! Tarifa ka qenë goditja jonë ndaj fushatës së Serbisë kundër njohjes së sovranitetit tonë”, ka shkruar ai.

Ai thotë se duhet mençuri e vendosmëri për ta ngritur flamurin e Kosovës në OKB, NATO dhe BE.

Çdoherë i kam besuar Amerikës dhe në asnjë mënyrë nuk duhet ta vëmë në pikëpyetje marrëdhënien e veçantë me partnerin më strategjik tonë dhe aleancën më të shenjtë! Hiqeni taksën dhe mos e vendosni reciprocitetin. Kërkesat dhe qëllimet tona përmbushen me mbështetjen e partnerëve tanë amerikanë e evropianë”, ka shkruar ai.

Kujtojmë se deri tash, kryetari i PDK-së ishte kundër heqjes së taksës. Madje ai përmes një postimi në Twitter kishte kërkuar që të mos hiqet taksa pa njohjen e Kosovës nga Serbia, duke e quajtur hap të ngutshëm zëvendësimin e taksës me reciprocitet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Lidhur me këtë kishte reaguar edhe i dërguari i SHBA-së për dialogun Kosovë- Serbi, Richard Grenell, i cili kishte deklaruar që heqja e taksës ishte veprim i duhur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button