Interpretim tërësisht i gabuar i ngjarjes, polici nuk u vra

Burimi: KriThink 

Disa media online shpeshherë publikojnë informacione të marra nga mediat tjera me qëllim që të informojnë lexuesit e tyre për ngjarje të ndryshme të ditës. Ndonjëherë marrin kopje të plotë të tekstit të dikujt tjetër dhe nuk e marrin madje as mundimin që të citojnë median që e para ka publikuar lajmin, e ndonjëherë tjetër pavarësisht faktit që e bëjnë citimin nuk e përcjellin lajmin ashtu si është në të vërtetë. Për shkak se në Maqedoninë e Veriut  informacionet servohen në dy gjuhë, shpeshherë ndodh që një informacion që shihet në një medium maqedonas të shihet në një medium tjetër shqiptar dhe anasjelltas. Duke nxituar që të publikohet sa më shpejtë informacioni, autorët shpesh dinë të përhumben në përkthim dhe përveç hutisë, aspak nuk e ofrojnë atë që quhet informacion. I tillë është lajmi që e recensojmë.

Fotografi nga lajmi që recensohet

Linku deri te artikulli: Maqedoni/ Vritet një polic me 5 plumba

Data e publikimit: 02.02.2020

Data e recensionit: 20.02.2020

Recensuese:  Ajnur Bafqari

Në tekstin që po recensojmë autori e ka shpallur “të vdekur” policin që në fakt është qëlluar me plumba dhe është plagosur, dhe kjo përshtypje të krijohet vetëm pasi t’i kemi lëshuar një sy titullit. E njëjta storie vazhdon edhe gjatë gjithë përmbajtjes së tekstit, ku edhe përskaj faktit që është cituar një tjetër medium, aspak nuk është përcjellur lajmi origjinal që e përcjell teksti i cituar.

“Një zyrtar policor është vrarë me 5 plumba në qytetin e Velesit në Maqedoninë e Veriut. Sipas informacioneve që disponon TV24, polici në fjal së bashku me kolegen e tij kanë qenë në patrullë tek kisha në lagjen rome Ramina pasi besimtarët që shkonin në kishe ishin ankuar se iu bëj vjedhje, përcjell Zyrtare.net.
Deri më tani atentatori është në arrati dhe se gjatë ditës pritet të jepen më tepër detaje në lidhje me ngjarjen”- thuhet në tekst.

Autori duke nxituar të publikojë informacionin dhe duke mos dashur që të humb kohë, ka përfunduar tekstin vetëm me informacionet e para dhe vetëm deri sa ka bërë disa rreshta tekst. Ai përveç që e ka bërë gabimin në përkthim, “nuk e ka lexuar” deri në fund tekstin e publikuar në median të cilën e citon, ku bëhet e qartë se polici i qëlluar nuk ka ndërruar jetë, por është dërguar në klinikë dhe jeton ende.

Ky nuk mund të jetë artikull gazetaresk
Në tekstin në fjalë prania e faktit të vetëm është se ka ndodhur një gjuajtje me armë zjarri, si fakt po ashtu paraqitet “jeta e humbur” e policit, gjë që nuk është e vërtetë. Burimi i vetëm i informacionit është media të cilën e ka cituar, megjithatë teksti në fjalë ka një formë ndryshe nga ajo që e thotë “burimi”. Teksti i publikuar me nxitim nuk përditësuar kurrë më, domethënë autori as nuk e ka marrë mundimin që lexuesit e vet t’i informojë më tepër lidhur me ngjarjen në fjalë dhe në këtë mënyrë ky tekst nuk e plotëson as nivelin minimal të gjithëpërfshirjes dhe nuk e paraqet të vërtetën. Edhe titulli edhe teksti e shtyn lexuesin të bëjë interpretim të gabueshëm të ngjarjes.

Koncepti i manipulimit “Prirje për anim të vëmendjes”
Autori e ka përdorur këtë koncept të manipulimit duke i kushtuar  vëmendje informacioneve që sjellin më shumë vlera emocionale, që në këtë rast ka të bëjë me “jetë njeriu”. Autori me ose pa qëllim ka zgjedhur që të publikojë vetëm atë pjesë të tekstit, duke injoruar informacionet e tjera, të cilat në këtë rast e ndryshojnë tërësisht informacionin. Autori e ka privuar lexuesin e vetë nga informimi i saktë dhe i plotë.

Nëse autori nuk arrin të bëjë dallimin mes “të qëlluarit me armë” dhe “vrasjes”, ky nuk është aspak faji juaj!
Lexues nëse ballafaqoheni me një tekst të tillë jo të plotë, ku si burim citohet vetëm një medium tjetër dhe asnjë institucion tjetër relevant, atëherë e para gjë që duhet të bëni është të drejtoheni tek mediumi që e ka nxjerrë i pari informacionin dhe të konfirmoni dyshimet që u krijuan gjatë leximit të tekstit që e keni para vetes. Nëse ndonjë autor nuk arrin të bëjë dallimin mes “të qëlluarit me armë” dhe “vrasjes”, ky nuk është aspak faji juaj, ju nuk e meritoni të dezinformoheni nga ata që supozohet t’u servojnë vetëm informacione. Por fatkeqësisht për shkak se mediat e internetit nuk po kontrollohen, ju lexues shpesh ballafaqoheni me tekste boshe të cilat vetëm ju krijojnë huti. Nuk jeni të detyruar të “përbini” gjithçka që ju servohet, mundohuni që të qartësoni gjërat në kokën tuaj dhe informohuni nga mediat që kanë më shumë besueshmëri.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button