Artikulli gazetaresk nuk guxon të duket sikur një kumtesë partiake

Burimi: KriThink 

Në kohën kur subjektet politike median e shohin si një mekanizëm për të reklamuar punën e tyre dhe për të bindur një grup të papërcaktuar politikisht, me qëllim grumbullimin e votave, gjasat që një medium të shndërrohet në një “mashë” të një subjekti politik janë shumë të mëdha. Në mediat online ky fenomen është shumë më i përhapur dhe nuk nevojitet një lupë për të parë se “cili medium online, në cilin mulli e dërgon ujin”. Janë disa media online, që veprimtarinë e tyre e fokusojnë në promovimin e punës së një partie të caktuar politike, ndërsa “sulmojnë” një parti tjetër, në favor të të parës. I tillë është artikulli që e recensojmë.

Fotografi nga lajmi që recensohet

Linku deri te artikulli: Rinia e Tetovës reshtohet pas BDI-së , mbi 400 anëtarësime të reja në katër këshilla vendorë

Data e publikimit: 03.02.2020

Data e recensionit: 20.02.2020

Recensuese:  Ajnur Bafqari

“Uragani që nuk ndalet”, “vulosja e fitores së madhe”, “me 12 prill do të korrin fitoren e 18 me radhë”. Këto janë vetëm disa nga termet promovuese të cilat  autori i ka vendosur në tekstin që po recensojmë, e që menjëherë të asocojnë në një kumtesë partie dhe jo në artikull gazetaresk. Dallimi i vetëm në këtë rast është se teksti është shkruar në vetën e tretë shumës dhe jo në të parën. Autori i tekstit nëpërmjet pompozitetit i “rreshton” të gjithë të rinjtë pas një partie politike.

Rinia e Reçicës së Madhe e nisi uraganin i cili siç duket nuk ndalet. Ajo vazhdoi në Sellcë dhe më pas në lagjen Teteks ndërsa mbrëmë në Xhepçisht ku bashkërisht po vulosin fitoren e madhe të 12 Prillit. Dega më e madhe e BDI-së siç ka komentuar Valmir Aziri pritet të jetë edhe më e fuqishme se vitet e kaluara falë një bashkëpunimi të madh me FR -BDI ku dera e BDI-së tani më është e hapur për anëtarësime të rinisë që i besojnë politikave të Ali Ahmetit dhe vizionit të tij. Ndryshe koordinimet për zgjedhjen e kryetarëve të nëndegëve do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim, ku me 12 Prill do të korrin fitoren e 18 me radhë”- thuhet në tekst.

Kur përfundon tekstin dhe nuk e merr lajmin
Qëllimi kryesor i publikimit të këtij teksti është përshkrimi i “sukseseve” të një partie politike. Autori e ka gjetur një mënyrë që nëpërmjet shpërndarjes së informacionit për 400 anëtarësimet e reja, të përshkruajë se sa “madhështor” është subjekti politik në fjalë. Autori, tekstin nuk e ka bazuar askund, nuk ka asnjë burim të informacionit dhe asgjë që e vërteton saktësinë e informacionit. Vetëm në një pjesë të tekstit parafrazohet një pjesë e deklaratës së një koordinatori, por deklarata nuk shihet askund. I gjithë teksti ngjan me një status Fejsbuku të një simpatizanti partiak, ngjan edhe me një tekst të këndit të programit të paguar politik dhe për më tepër nuk është se përcjell ndonjë informacion relevant.

Gazetari duhet të informojë, e jo të lavdërojë subjekte politike
Nëse lajmi apo raportimi duhet të përmbajnë një porosi, një qëllim dhe ndikim të caktuar mbi mendimin publik, atëherë si mund një tekst si ky, të konsiderohet lajm? Në këtë tekst anshmëria është e dukshme, dhe për këtë nuk ka nevojë për sqarime shtesë. Ka të pranishme shumë elemente të komentimit, të gjitha të futura si pjesë integrale të fakteve, me çka e ngarkon tekstin me diskursin subjektiv të autorit ose medias. Në tekst janë bashkangjitur edhe fotografi, gjë që e përforcon ngjajshmërinë e tekstit me një kumtesë partiake.

Koncepti i manipulimit “Provat selektive” dhe “Efekti i pritshmërisë së monitoruar”
Përderisa nëpërmjet konceptit të manipulimit me prova selektive nënkuptohet prirja për të treguar fakte që flasin për mbështetje të një pretendimi dhe njëkohësisht injorim të fakteve që janë kundër të njejtës, atëherë në këtë tekst kjo gjë është mëse e dukshme. Autori pretendon se partia në fjalë është “më e madhja dhe më e mira” dhe nuk e ka nxjerrë në asnjë moment anën tjetër të medaljes. Në tekst po ashtu manipulohet nëpërmjet konceptit “Efekti i pritshmërisë së monitoruar”, ku autori atribuon vlerë më të madhe të rezultateve, që i konfirmojnë pritjet nga ata që nuk i mbështesin. Në tekst theksohen vetëm të dhënat që janë në dobi të pritjeve dhe shpërfillen të dhënat që nuk flasin në dobi të tyre.

Autori ka bërë shkelje të rëndë të Kodit Etik të Gazetarëve, ku në një pikë theksohet qartë se si duhet të raportohet për proceset politike.

KODI ETIK
Raportimi për proceset politike, veçanërisht për zgjedhjet, duhet të jetë i paanshëm dhe i balancuar. Gazetari patjtetër duhet të sigurojë distancë profesionale nga subjektet politike

Sa më pak gjithëpërfshirës, aq më pak vlen të lexohet
Gjithpërfshirja është një prej elementeve kryesore që duhet t’i kërkoni në një informacion, nëse gazetari nuk ua mundëson këtë gjë, atëherë ai nuk e meriton që ju të ndani kohën tuaj për të lexuar tekstin e tij. Nëse teksti që po lexoni nuk dallon nga një kumtesë partie, bën mirë të mos humbni kohën tuaj, dikush po mundohet të manipulojë me mendjen tuaj. Në një artikull gazetaresk duhet të kërkohen të gjitha elementet që i përmendëm më lartë, e që e bëjnë atë të plotë.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button