Lëshimi i teleferikut në KD: ESM kërkoi përgjegjësi për vonesat, Bekteshi tha se është kryer në “kohë rekord” (VIDEO)

Përderisa Bekteshi thurte lavde për procedurën për lëshim në përdorim të teleferikut me gjashtëulëse, të cilën ai e quajti si procedurë e realizuar në “kohë rekord”, drejtori i ESM tha që procedura është zvarritur, dhe se për këtë do të kërkoje përgjegjësi. Ndryshe, kjo procedurë ka filluar në vitin 2014 dhe është finalizuar sot. Përgjegjësi kërkojnë edhe nga iniciativa “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”, njofton Portalb.mk.

Sot në qendrën turistike Kodra e Diellit është mbajtur ceremonia e lëshimit në përdorim të teleferikut me gjashtëulëse, Portalb.mk vazhdimisht ka informuar për rrjedhën e kësaj procedure e cila po zvarritet tash 6 vite.

Vasko Kovacevski, drejtor i ESM.
Vasko Kovacevski, drejtor i ESM.

Sipas drejtorit të Elektranave të Maqedonisë së Veriut, kjo vonesë nuk është e arsyeshme dhe për këtë tha se kompania ESM ka angazhuar njerëz që do të vërtetojnë atë se kush edhe pse i ka bërë këto lëshime, me qëllim që të njëjtit të bartin përgjegjësi.

“Ky projekt ka filluar në vitin 2014 dhe kap shifrën prej 9 milion eurove, të investuara nga ESM. Në vitin 2016 filluan punimet e para në teren. Megjithatë, në atë kohë për arsye të ndryshme siç mund të jenë lëshime apo mospërgatitja e mirë e projektit, apo lëshime joprofesionale  ky projekt është vonuar disa vite. Në këtë periudhë pas vendosjes në funksion të teleferikut do të bëjmë revidimin e projektit e për këtë kemi angazhuar njerëz në institucionin tonë, të cilët më pas do të na japin raport konkret për atë se kur edhe si janë bërë ata lëshime. Gjithsesi që duhet edhe është e nevojshme që dikush të bartë përgjegjësi për këto lëshime” deklaroi Vasko Kovacevski, drejtori i ESM.

Kreshnik Bekteshi
Kreshnik Bekteshi

Mendim krejtësisht të kundërt nga ky kishte Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, sipas të cilit ky projekt jo që nuk është vonuar, por është kryer në kohë rekord. Teleferikun me gjashtëulëse e cilësoi si projekt që do të ja rikthej epitetin Kodrës së Diellit.

“Sot është një ditë e veçantë, falënderoj udhëheqësin e Elem Turs që me një kohë rekord i krevën të gjitha procedurat që ne sot të kemi mundësi të jemi këtu për vendosjen në funksion të teleferikut me gjashtëulëse. Një ndër projektet kryesore për rritjen e kapaciteteve të Kodrës së Diellit dhe përmes projekteve të tilla ia kthejmë epitetin pikërisht kësaj qendre shumë të rëndësishme. Nuk do të kisha thënë që teleferiku me gjashtëulëse është vonuar, diku rreth tetorit të vitit të kaluar e paralajmëruam që pikërisht gjatë kësaj periudhe do të lëshohet në përdorim gjeshtëulësja dhe me përfundimin e të gjitha procedurave si dhe marrjen e lejes nga Ministria e Transportit ne sot jemi dëshmitarë të vendosjes në funksion të kësaj” deklaroi Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Megjithatë, për gjatë këtij viti Ministri i Ekonomisë, Bekteshi, ka premtuar që ky teleferik do jetë funksional gjatë sezonit dimëror 2019/2020 ndërsa sot që flasim, jemi në ditët e fundit të dimrit dhe në këtë qendër turistike numri i turistëve aktual mund të numërohet me gishtat e dorës.

Hamdi Sulemani nga iniciativa "Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit".
Hamdi Sulemani nga iniciativa “Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit”.

Sulemani nga iniciativa “Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit” deklaratën e ministrit e cilësoi si qesharake, ai shtoi që në aspekt ekonomik ky projekt është i dështuar për arsye se ka kushtuar shumë ndërsa për 6 vite nuk kemi marrë asgjë nga i njëjti.

“Deklarata e Ministrit të Ekonomisë që në kohë rekord është lëshuar në përdorim teleferiku me gjashtëulëse ishte shumë qesharake, të gjithë jemi të informuar që i njëjti ka filluar të ndërtohet në vitin 2014 dhe ka përfunduar në vitin 2020. Andaj, sa i përket arsyeshmërisë ekonomike ky projekt është i dështuar, për shkak se për kaq shumë vite të zvarritet një projekt që kushton 9 milion euro dhe deri tani nuk është kthyer asnjë euro nga aty. Ne nuk jemi si organizatë joqeveritare të regjistruar, jemi vetëm grup aktivistësh, gjithsesi që do të kërkojmë përgjegjësi dhe do të shohim si do të rrjedhin punët në lidhje me këtë” theksoi Hamdi Sulemani nga iniciativa “Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit”

Ndryshe, edhe pse teleferiku me gjashtëulëse funksiononte, asnjë xhiro me të nuk bënë funksionarët të cilët kishin ardhur të përurojnë vendosjen në funksion të së njëjtit. Portalb.mk nga Ministra për Transport dhe Lidhje tanimë ka kërkuar dokumentacionin që vërteton se ky teleferik është i sigurtë, dhe se nuk përbën ndonjë rrezik të mundshëm mirëpo të njëjtit ende nuk i janë përgjigjur pyetjeve tona.

Përkundër faktit që Kontrata e parë për ndërtimin e teleferikut është nënshkruar me 10 mars 2014.  Në ceremoninë për vendosjen në funksion të këtij tekeferiku morrën pjesë kryeministri teknik, deputet nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), zëvëndës kryeministri Duraku, ministri i ekonomisë, Bekteshi, drejtori i ESM dhe shumë persona tjerë përgjegjës për zvarritjen e kësaj procedure.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button