Kurti e publikoi marrëveshjen sekrete të Thaçit me NATO-n që ia ndalon FSK-së lëvizjen në Veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ia ka bërë të ditur kryekuvendares Vjosa Osmani se ka kërkuar analizën e një marrëveshjeje sekrete të 19 prillit të 2013-tës midis kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçi dhe sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

“Përmes kësaj marrëveshje kryeministri Thaçi në emër të Republikës së Kosovës, barti te KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës, për një periudhë të paafatizuar”, shkruan në komunikatën për medie, të lëshuar nga Zyra e kryeministrit, transmeton Orainfo.

Kryeministri Kurti, në shkresën dërguar kryetares Osmani, ka potencuar faktin se pas pranimit zyrtar të detyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga stafi i Zyrës së Kryeministrit që, pa vonesë, të analizojë përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje sekrete, si dhe implikimet e saj kushtetuese.
“Qëllimi i kësaj shkrese është që t’ju njoftoj juve, në cilësinë tuaj si kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për ekzistencën e marrëveshjes sekrete, si dhe për rezultatet e analizës së Zyrës së Kryeministrit. Për t’iu shmangur çdo keqkuptimi të mundshëm, dua të jem sa më i qartë: Unë, si kryeministër, nuk shpreh asnjë qëndrim për ose kundër marrëveshjes sekrete, për sa i përket përmbajtjes së saj. Unë, si kryeministër, e kuptoj dhe e vlerësoj thellësisht rëndësinë e jashtëzakonshme të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe NATO-s për sigurimin e plotë të integritetit territorial të Republikës dhe të qytetarëve të saj. Dhe unë, si kryeministër, i garantoj Kuvendit, si dhe të gjithë qytetarëve të Republikës se nuk do të ndërmarr asnjë hap që do të rrezikonte këtë aleancë të domosdoshme për sigurinë e vendit tonë”, thuhet në shkresën e kryeministrit Kurti.

Kjo shkresë i është dërguar edhe presidentit të vendit Hashim Thaçi, si dhe kryeprokurorit të Shtetit të Republikës së Kosovës, Aleksandër Lumezi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button