Gazetaria hulumtuese e Maqedonisë: Në buzë të cilësisë dhe ekzistencës

Gazetaria hulumtuese në mediat tradicionale të Maqedonisë së Veriut thuaja se nuk ekziston. Edhe ato pak storie që botohen gjatë vitit janë të pranishme në mediat online dhe financohen nga donacione të huaja. Televizioni, radio dhe gazetat dhe një pjesë e mediave online janë shndërruar në transmetues të verbër të ngjarjeve të ditës të prodhuara nga strategjitë komunikuese e institucioneve shtetërore, partive politike dhe sektorit civil, njofton Observatori Mediatik, transmeton Portalb.mk.

Gazetarët që i ndjekin këto ngjarje shumë rrallë parashtrojnë pyetje lidhur me qëndrimet e prezantuara nga përfaqësuesit e jetës publike dhe politike. Raportet e gazetarëve kufizohen në “thash e thusha”, pa kënd raportimi dhe pa depërtuar në thelbin e çështjes për të cilën informojnë.

Për shkak të kësaj pasqyre dëshpëruese në mediat në Maqedoni, Komisioni Evropian në raportin për përparimin e Maqedonisë së Veriut në vitin 2019, thekson se vetëm 2 për qind e raporteve të botuara gazetareske në mediat e Maqedonisë në vitin 2018, janë storie hulumtuese.

Gjendja me cilësinë e raportimit në media ka qenë edhe më e keqe në vitin 2017 kur gazetaria hulumtuese ka qenë e pranishme me vetëm 0.8 për qind. Kjo e dhënë është nxjerre nga “Analiza e rezultateve të monitorimit nga raportimi i mediave në vitin 2017”, të zbatuar nga Qendra për komunikime qytetare dhe OJQ “Infoqendër”.

Prej analizës del se shumica e storieve analitiko-hulumtuese janë botuar në mediat e shtypura, dhe në një pjesë më e vogël në televizione. Rreth 25 për qind e stoorieve u kushtohen çështjeve ekonomike, ndërsa në 23 për qind të rasteve janë trajtuar çështje politike.

Edhe janë pak, edhe jo cilësore

Është e çuditshme se edhe kur ka storie hulumtuese në mediat tradicionale ata shmangin t’i ekspozojnë në ballinat e gazetave ose në kreun e lajmeve. Kështu, në 47 për qind, storiet hulumtuese fare nuk janë paralajmëruar. Nga numri i përgjithshëm i storieve të botuara në gazeta, vetëm 24 për qind e tyre janë ekspozuar në ballinë, ndërsa vetëm shtatë për qind e tyre në ballinë janë të ndjekura me një tekst të vogël. Nga storiet e publikuara në televizione, vetëm 22 për qind e tyre janë vendosur në kreun e lajmeve.

Përveç përqindjes së ulët të pranisë së storieve hulumtuese  në përmbajtjen e përgjithshme të mediave dhe mënyrës së papërshtatshme të prezantimit të tyre në opinion, ky lloj i gazetarisë vuan edhe nga dobësi tjera. Kështu për shembull, në mbi 55 për qind të storieve të publikuara nuk është konsultuar pala e prekur, në 40 për qind të rasteve është e pranishme vetëm njëra palë në histori, ndërsa vetëm në një të tretën e historive është zbatuar parimi themelor i gazetarisë për tu dëgjuar zëri i të dy palëve të përfshira.

Gazetarëve hulumtues te ne, në pjesën më të madhe, burim në përpilimin e storieve të tyre u janë institucionet shtetërore, pasojnë ekspertët, ndërsa në një përqindje më të vogël janë të pranishëm edhe sektori civil.

Për mungesën e gazetarisë hulumtuese në mediat e Maqedonisë zëshëm ka folur edhe eksperti evropian, Rajnhard Pribe, i cili në vlerësimin dhe rekomandimet për sundimin e ligjit në Maqedoni të publikuar në vitin 2017, nënvizon se ekziston perceptim se gazetaria hulumtuese në përgjithësi nuk zbatohet për shkak të frikës dhe mungesës së resurseve dhe të shkathtësive të gazetarëve.

“Gazetaria hulumrtuese shpeshherë nuk është prioritet dhe shpesh pengohet nga pushteti, duke penguar qytetarët të kenë qasje në informacione të besueshme, pluraliste dhe objektive”, theksohet në vlerësim dhe shtohet se ekzistojnë raporte se gazetarët kanë qasje të vështirë deri te informacionet me karakter publik dhe deri te vendimmarrësit.

Për shkak të kësaj, Komisioni evropian u sugjeron autoriteteve të Maqedonisë të vazhdojnë të përkrahin pluralizmin në media dhe të promovojnë raportim profesional dhe objektiv, si dhe gazetari hulumtuese. Përveç kësaj kërkohet edhe vendosja e një sistemi efikas për luftimin e dezinformatave.

Për hulumtimin e korrupsionit duhen kohë dhe resurse

Përfaqësuesit e organizatave të gazetarëve dhe të mediave janë në një zë në vlerësimin se gazetaria hulumtuese në mediat e Maqedonisë është shumë pak e pranishme.

Dragan Sekulovski
Dragan Sekulovski

Drejtori i Shoqatës së gazetarëve të Maqedonisë, Dragan Sekulovski, vlerëson se gazetaria hulumtuese është “specie në zhdukje” në media.

“Mendoj për ato storie hulumtuese që trajtojnë tema lidhur me korrupsionin në nivele të larta, keqpërdorim të pushtetit si dhe krim të organizuar, që mbështetet në argumente serioze dhe fakte të mbështetura me analiza, për të cilat shpesh duhen edhe kohë e gjatë dhe resurse për t’u përgaditur”, sqaron Sekulovski dhe shton se për këtë lloj gazetarie mungon edhe transparenca e institucioneve.

Ai vlerëson se gazetaria cilësore është e pranishme në më pak media online, por ndonjëherë edhe në produksione private, që publikohen në mediat tradicionale.

“Në ndarjen e shpërblimeve për gazetari thuaja çdo vit janë të pranishme të njëjtat media dhe produksione që flet për atë se numri i tyre është i vogël. Ka cilësi dhe interesi i publikuar për këtë lloj të gazetarisë është i madh”, vlerëson drejtori i SHGM.

Sipas tij, gazetarët që merren me këtë zhanër të gazetarisë janë të rrallë, veçanërisht mungojnë gazetarët e ri hulumtues, të cilët mund tekstualisht të numërohen në gishta.

“Kjo nuk duhet të na befasojë nëse kemi parasysh faktin se në çfarë ambienti punojnë këto gazetarë. Çdo ditë e më shumë janë të nënshtruar ndaj trysnive dhe kërcënimeve dhe zakonisht punojnë në redaksi të vogla. Shpesh financohen prej donatorëve të huaj, të cilët deri diku garantojnë pavarësi financiare, por jo edhe qëndrueshmëri financiare”, thotë Sekulovski.

 Gazetaria hulumtuese financohet në media financohet nga donatorët e huaj

Drejtoresha e Institutit Maqedonas të Mediave, Biljana Petkovska, thotë se te ne ka ekipe të shkëlqyeshme për prodhimin e hulumtimeve gazetareske. Më herët ka qenë e pranishme me gazeta, ndërsa tani hulumtimet e mira janë të transferuara kryesisht në portalet dhe televizione. Petkovska mendon se në të kaluarën hulumtimet kanë qenë fryt i angazhimit autentik të redaksive e me ndihmën financiare të vetiake, ndërsa pas mbylljes së MPM, gazetaria hulumtuese në media financohet prej donatorëve të huaj.

Biljana Petkovska
Biljana Petkovska

“Megjithatë, edhe më tutje, numri i gazetarëve të mirë hulumtues që prodhojnë storie cilësore është ndjeshëm i vogël, ndërsa kjo lloj gazetarie nuk kultivohet sistematikisht. Thuaja të gjitha financohen nga donacione prej jashtë, ndërsa redaksitë fare nuk ndajnë mjete të veta për hulumtime”, thotë Petkovska.

Sipas saj, me përjashtime të vogla, në storiet që paraqiten si hulumtuese, më shpesh reagohet ndaj skandaleve të hapura nga institucione tjera, sesa që janë rezultat I hulumtimit vetanak të gazetarit. Redaksitë nuk kanë mjete dhe vullnet për të prodhuar këto lloj të storieve në kushte të mungesës së mbështetjes institucionale, ndërsa ka probleme edhe me qasjen në informacione me karakter publik.

Në kohën e lajmeve të rreme, thekson Petkovska, gazetaria hulumtuese fiton peshë edhe më të madhe dhe i jep kuptim dhe vlerë gazetarisë në kohën e re.

“E nevojshme është që mediat tona, veçanërisht servisi publik, më shumë te investojnë në këtë format gazetaresk, midis tjerash edhe për të treguar se interesi publik, e jo interesi privat ose ai i elitës qeverisëse, definon integritetin e tyre mediatik”, thekson drejtoresha e IMM.

Institute, si kontribut për zhvbillimin e gazetarisë hulumtuese, ndanë çmimin vjetor për gazetari hulumtuese dhe rregullisht organizon trajnime dhe siguron mjete për gazetarët hulumtues.

Mediat më shumë mbajnë llogari për interesin komercial, se sa për interesin publik dhe demokracinë

Edhe drejtoresha e BIRN-Maqedoni, Ana Petrusheva, ka përshtypje se gazetaria hulumtuese te ne ekziston duke iu falënderuar donatorëve ndërkombëtarë, e jo si rezultat i investimit të mediave.

“Storiet e mira hulumtuese më shpesh janë prodhim i cili është përkrahur nga ndonjë projekt dhe si pjesë e angazhimit të shoqatave qytetare, por jo edhe si praktikë e mediave”, vlerëson Petrusheva dhe shton se vetëm gazetaria cilësore mund të përballet me sfidat bashkëkohore, siç janë lajmet e rreme dhe mbrojtja e interesit publik.

Ajo nuk disponon me të dhëna konkrete për numrin e storieve hulumtuese në mediat e Maqedonisë, por ka përshtypje se këto përmbajtje janë një sihariq në mediat më me ndikim.

Arsyeja themelore për mungesën e gazetarisë hulumtuese në mediat më me ndikim është mungesa e kuadrit dhe parave në media, të cilat më shume kujdesen për interesin e tyre komercial se sa për interesin publik dhe demokracinë.

“Bashkëveprimi i mediave me politikën dhe biznesin është pengesë qenësore që ato të kenë interes për të investuar në gazetari hulumtuese dhe në përgjithësi të punojnë në funksion të interesit publik dhe për zhvillimin e demokracisë. Mediat më shumë janë të orientuara ndaj zbavitjes dhe projekteve që kanë për qëllim t’i kënaqin apetitet e ulëta të publikut, në kurriz të përmbajtjes cilësore dhe të llojllojshme mediatike”, thekson Petrusheva.

Për fat të keq, ajo nuk pret që RTM ta përbush misionin e tij si servis publik të qytetarëve për shkak të asaj se institucioni është në gjendje dëshpëruese si rezultat më së shumti i interesave politike dhe të politikave të gabuara dhe të menaxhmentit të keq të mediave. Në kushte kur mediat kujdesen vetëm për interesin e tyre komercial, gazetaria hulumtuese do të jetë në mëshirën e ndihmës së donatorëve, e cila do të finansojë storie gazetareske që mbrojnë interesin publik.

Autor: Naser Selman

Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizon Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis“, me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni“. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.

Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizon Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis“, me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e Hapur” – Maqedoni“. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e Hapur” – Maqedoni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button