“Të rinjtë flasin”: T’i zëvendësojmë kravatat e mbledhjeve partiake me gra të suksesshme

Të rinjtë në Maqedoninë e Veriut kanë shumë probleme, sfida si dhe nevoja, mirëpo rrallë herë atyre u jepet mundësia që të flasin për të njëjtat, ky pikërisht është edhe qëllimi i këtij projekti sipas kryetarit të Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme, Blend Hodai. Të ftuar në këtë panel ishin Rita Behadini, Hasim Memishi dhe Elmedina Abdulahi të cilët folën me të rinjtë, për halle e suksese, shkruan Portalb.mk.

Të rinjtë e pranishëm në sallë, mjaftonte vetëm të ngrenë dorën dhe të shfaqin hallin e tyre, kështu duke kërkuar sugjerime nga panelistët e ftuar në lidhje me idetë e tyre. Projekti “Teen Talks” apo “Të Rinjtë Flasin” është i njohur botërisht, mirëpo asnjëherë nuk është realizuar në formatin të cilin e solli Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme.

Hodai foli për rëndësinë e unitetit, respektin ndaj njëri tjetrit si kusht themelor për luftën kundër siç tha ai, mureve të krijuara mes të rinjve.

“Është e rëndësishme të rinjtë të flasin ndërmjet vete se si mund të jenë sa më të bashkuar, dhe të largojnë konfliktet ndëretnike apo çfarëdo qofshin ata. Edhe pse në këtë kohë nuk kemi më mure lufte, tash kemi ndërmjet vete ftohtësi me apo pa mure që realisht nuk është e nevojshme për shkak që në qoftë se dëshirojmë të luftojmë për një kauzë të caktuar, padyshim që duhet të jemi bashkërisht në formë që zëri jonë të jetë më i fuqishëm se çdo padrejtësi, qoftë në fushën e ambientit, të drejtave të barabarta, të drejtave të nxënësve dhe gjithçka që ka të bëje ma padrejtësinë që ndodh në shtetin tonë”, theksoi Blend Hodai, kryetar i Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme.

Rita Behadini.
Rita Behadini.

E lodhur nga kravatat që figurojnë në çdo foto të mbledhjeve partiake, Rita, aktivistja për të drejtat e njeriut të rinjve ju shpjegoi rëndësinë e feminizmit dhe aktivizimit qytetar.

“Vazhdoj të luftoj për të drejtat e grave sepse e shoh që në shoqërinë tonë vazhdimisht ne jemi të anashkaluara, njerëzit kur e dëgjojnë fjalën feminizëm reagojnë menjëherë në një formë jo edhe aq të hijshme. Gjithmonë ka ekzistuar një keqkuptim i këtij termi, shoqëria në përgjithësi, e sidomos burrat, e kanë atë mendim se në qoftë se gratë i marrin të drejtat të cilat ju takojnë, do të jenë mbi burrat. Duhet të gjithë ta dinë që kjo nuk është feminizmi, feminizmi ka të bëje me të drejta dhe mundësi të barabarta për të dy gjinitë. Unë nuk shoh gra në pozita udhëheqëse, në qoftë se vëreni mbledhjet qeveritare apo partiake nuk ka gra, por vetëm kravata. E në qoftë se nuk ka kush të na përfaqësoje në politike, në qoftë se burrat vendosin për gratë, kjo nuk do të ishte e drejtë ngaqë ata nuk mund t’i dinë nevojat e grave”  tha Rita Behadini.

Hasim Memishi.
Hasim Memishi.

Përmes grushtit të humorit, Sopi mundohet të godas çdo dukuri negative në këtë shtet, e që sipas tij, janë shumë. Suksesin ai e definoi si ëmbëlsirë pas mijëra dështimesh.

“Në një realitet jo edhe aq të bukur si ky në shtetin tonë, përmes humorit tim mundohem që çdo gjë negative ta kthej në pozitive. Përkrahjen që unë ua jap të rinjve e kam edhe nga përvoja personale, nga kushtet jo të mira ekonomike nuk mundesha të vazhdoj Shkollën e Mesme, dhe më doli në ndihmë një njeri. Andaj, unë e di më së miri se sa vlen ndihma e dikujt kur je në moshë të re. Edhe pse jetojmë në një atmosferë pesimiste, të rinjtë tanë asnjëherë nuk duhet të dorëzohen, imagjinojeni sikur Thomas Edison të ishte dorëzuar, sot e gjithë bota do të ngelte në terr. Por jo, ai dështoi 7000 herë, dhe kjo nuk e demotivoi atë. Andaj unë ju sugjeroj të dështoni sa më shumë, njerëzit duke dështuar sa më shumë arrijnë deri te suksesi. Është paradoks ajo që njerëzit e suksesshëm nuk dështojnë asnjëherë”  tha Hasim Memishi.

Elmedina Abdullahi.
Elmedina Abdullahi.

Ikni, kjo punë nuk është për gra, janë vetëm disa nga fjalët me të cilat është përballur Elmedina gjatë organizimit të protestave kundër ajrit të ndotur, ajo të rinjve ju tha se vendosmëria e gruas është më e fortë se patriarkati.

“Në qoftë se diçka kam mësuar nga përvoja ime personale, është që në qoftë se ju e keni qëllimin e sinqertë dhe nëse vazhdimisht ju mundoheni dhe luftoni që të arrini deri te qëllimi i përgjithshëm atëherë nuk ka gjasa të mos keni sukses. Instinkti i nënave neve na nxiti që të i shpallim luftë ajrit të ndotur, në atë kohë ishin disa komente që vazhdimisht na thoshin të ikim sepse kjo punë nuk është për gra. Mirëpo ne asnjëherë nuk e lejuam që ky lloj komenti të na demotivoj, edhe pse gjatë kësaj rruge të vështirë kemi hasur në shumë dështime, dëshpërime si dhe momente demotivuese. Në qofte se ne këto dështime do ti kishim lejuar të ndikojnë, sot nuk do të ishim këtu ku jemi, në asnjë moment të atij rrugëtimi ne nuk e menduam dështimin, ky nuk ishte opsion për ne” tha Elmedina Abdullahi.

Ndryshe, kjo formë e diskutimit me të rinjtë do të mbahet në të gjitha qytetet ku vepron Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme, edhe atë duke filluar nga java tjetër në qytetin e Gostivarit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button