U premtua në vitin 2014, këtë javë pritet të vihet në funksion teleferiku në Kodrën e Diellit

Nga burime jozyrtare, Portalb.mk mëson se brenda kësaj jave do të lëshohet në përdorim teleferiku me gjashtë ulëse në Kodrën e Diellit. Edhe pse nuk është shprehur saktësisht, një gjë të tillë paralajmëroi edhe ministri i Ekonomisë, Bekteshi, dje në rrjetin  social Fejsbuk, shkruan Portalb.mk.

Edhe pse premtohet nga viti 2014, aktualisht në fund të këtij sezoni dimëror po jepen sinjalet e para që len të kuptohet se teleferiku me gjashtë ulëse do të lëshohet në funksion brenda kësaj jave.

Burimet e Portalb.mk brenda “ELEM”, thonë që më në fund, pas disa procedurave të gjata administrative, brenda kësaj jave, eventualisht nesër do të ketë lajme pozitive në lidhje me teleferikun me gjashtë ulëse.

Të kontaktuar përsëri sot, nga “ELEM” na thanë që nesër nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të kemi ftesë për ngjarje, që ka të bëje pikërisht me lëshimin në funksion të teleferikut me gjashtë ulëse në Kodrën e Diellit.

Dhjetëra here për një vit, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi ka premtuar funksionalizimin e këtij teleferiku, një gjë të tillë ai e paralajmëroi dje në rrjetin social fejsbuk.

“Edhe shumë pak ditë, qendra turistike Kodra e Diellit po ndryshon”, ka shkruar Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Zvarritja e procedurës

Kontrata e parë për ndërtimin e teleferikut është nënshkruar me 10 mars 2014. Që atëherë është shndërruar toka bujqësore në tokë ndërtimore. Vendimi i Qeverisë për këtë është botuar në Gazetën Zyrtare numër 190/14 me datë 02.12.2014.
Por, për shkak të zhagitjes së procedurave nga institucionet, dhe disa faktorë të tjerë të panjohur, ndërtimet e teleferikut kanë filluar në qershor 2016. Megjithatë, menjëherë hasen pengesa tjera, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor shkaku i disa parregullsive, solli vendim për ndërprerjen e punimeve në korrik 2016. Punimet rifilluan në korrik të vitit 2018 dhe lëshimi në funksion, as sot 13 janar 2020 nuk ka ndodhur.

Procedura administrative për lëshimin në funksion të teleferikut me gjashtë ulëse në Kodrën e Diellit fillimisht është zvarritur nga “ELEM”, të cilët Nga tetori 2019, kur edhe zyrtarisht ka përfunduar procedura e përsëritur për lëshim në funksion të teleferikut me gjashtë ulëse, gjegjësisht shndërrimi i tokës bujqësore në industriale, dokumentet për vijimin e procedurës kanë fjetur në sirtarët e ELEM-it deri në fund të dhjetorit.  Pra, kërkesa për shndërrimin e tokës nga bujqësore në industriale ka përfunduar me datë 21.10.2019 dhe e njëjta është publikuar në Gazetën Zyrtare.

Pasi përfundoi procedura në “ELEM”, e njëjta formë e zhagitjes të së njëjtës vazhdoi nga Ministria për Transport dhe Lidhje. Portalb.mk vazhdimisht ka informuar për shkeljet e afateve ligjore që i ka bë kjo ministri, në lidhje me dhënien e urdhrit për inspektim në teren. Të njëjtit dy here e kanë kthyer procedurën nga pika 0, dhe në secilin hap, ata kanë pritur deri në ditën e fundit ligjërisht të lejuar për të ndërmarrë hapat e nevojshme në lidhje me këtë.

Kodra e Diellit, 14,1,2020.
Kodra e Diellit, 14,1,2020.

Kjo sezonë në Kodrën e Diellit lirisht mund të quhet si e dështuar. Kjo për shkak se në këtë qendër turistike ende nuk ka rënë borë e mjaftueshme për skijim, apo praktikimin e sporteve tjera dimërore.

Ndryshe, që nga viti 2012 e deri më sot diskutohen problemet e shumta dhe të njëjta me të cilat përballet “Kodra e Diellit”.  Dikur ishte qendër skijimi e njohur në rajon dhe më gjërë. Në të ishte investuar në infrastrukturë, ka pasur gara skijimi me garues nga e tërë bota dhe ishte destinacion i preferuar për shumë aplinistë dhe skijator. Sot, ka ngelur vetëm dëshira e madhe e turistëve skijator për ta parë këtë qendër të zhvilluar si dikur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button