Po rriten përpjekjet për pengimin e përhapjes së koronavirusit

Vendet e goditura më së keqi nga koronavirusi janë duke i intensifikuar përpjekjet për frenimin e tij, pasi numri i rasteve të prekura në botë ka kaluar tashmë 80,000.

Në Korenë e Jugut, zyrtarët duan të kontrollojnë 250,000 anëtarë të një sekti, të identifikuar si vatër e koronavirusit, transmeton REL.

Në Kinë, ku mbi 2,600 njerëz kanë vdekur, shkencëtarët kanë zhvilluar një vaksinë orale dhe pritet që së shpejti të kryejnë prova klinike.

Autoritetet kineze kanë ndaluar po ashtu konsumimin e kafshëve të egra.

Në Japoni, tregjet e aksioneve kanë rënë dukshëm të martën, nga frika se koronavirusi mund të përhapet më tej.

Autoritetet atje kanë kërkuar nga kompanitë që të shkurtojnë oraret e punës dhe të organizojnë më shumë telekonferenca, për të penguar përhapjen e koronavirusit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka thënë të hënën se bota duhet të bëjë më shumë për t’u përgatitur për pandemi të mundshme.

OBSH-ja ka thënë se është ende herët që shpërthimi i koronavirusit të trajtohet si pandemi, por, sipas saj, vendet “duhet të jenë në fazën e përgatitjeve”.

Koronavirusi, i identifikuar si Covid-19, besohet se e ka origjinën në provincën Hubei të Kinës.

Rastet e para atje janë shfaqur në dhjetor të vitit të kaluar.

Shenjat kryesore të infektimit me koronavirus janë temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button