Shefi i OKB-së: Të drejtat e njeriut janë të sulmuara

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se qeveritë duhet t’i vënë të drejtat e njeriut në qendër të prioriteteve të tyre, nëse duan të mbrojnë stabilitetin, rritjen ekonomike dhe të ardhmen e Tokës.

“Të drejtat e njeriut janë të sulmuara”, tha Guterres në Gjenevë, në hapje të sesionit vjetor të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së.

Guterres shpalli një plan global të veprimit, duke iu bërë thirrje njerëzve kudo në botë, që të ndërmarrin masa në zona të krimeve të luftës, kundër shfrytëzimit të grave dhe kundër përndjekjes së aktivistëve dhe pakicave.

Ai tha se të drejtat e njeriut sfidohen edhe nga ndryshimet klimatike dhe teknologjitë e reja, që, sipas tij, “përdoren shpesh për të shkelur të drejtat dhe privatësinë”.

Guterres u bëri thirrje qeverive që t’i vënë të drejtat e njeriut në qendër të përpjekjeve për zhvillim ekonomik, në mënyrë që të gjitha pjesët e shoqërisë të përfitojnë nga rritja ekonomike.

Ai tha se gratë, shoqëria civile dhe grupet e të rinjve duhet të kenë role më të mëdha në politikë.

“Njerëzit po lihen prapa. Frika po rritet. Ndarjet po zgjerohen”, paralajmëroi Guterres.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button