Gokalp: Kultura dhe politika (I)

Zija Gokalp (1876-1924), sociolog dhe mendimtar i dalluar, „kokë e ideve të gjalla“, „vetëshprehja e popullit turk“ (Y. Kemal), burim i qëndrimit zyrtar sociologjik të Republikës Turke. Ai  është ndikuar nga sociologët francezë G. Tarde, G. Le Bon dhe E. Durkheim. Pasqyrimet e këtij të fundit janë më të dukshme në botën ideore të Gokalpit. Ndërsa Durkheimi është orvatur t’i zbërthejë ndryshimet që ka sjellë qytetërimi industrial, të zbulojë parimet morale që do t’i jepnin trajtë të re shoqërisë industriale universale, Gokalpi duke u kthyer në shoqërinë e vjetër turke për tema bosht ka gjurmuar kombin dhe progresin, formimin e një shteti të ri kombëtar mbi gërmadhat e shtetit osman. Ky sociolog ka jetuar në periudhën e krizës dhe të ndryshimit marramendës të shoqërisë turke, në kohën e rrymave ideore si islamizmi, vesternizmi dhe turqizmi. Ai kishte konstatuar se veç e veç asnjëra prej rrymave s’mund të shpëtonte shoqërinë turke dhe sugjeronte qasjen eklektike. Kontributi i Gokalpit për sociologjinë është afirmimi i kësaj disipline në Turqi, shqyrtimi shkencor pionier për botën turke të termave si kombi, kultura, qytetërimi, zakonet, folklori, përrallat etj. Njihet si ideolog i Revolucionit të vitit 1908 dhe i atij kemalist të vitit 1920, si teoricien që ka ndikuar tek Ataturku. Ai ka pohuar se turku-mysliman duhet të jetë me kokë europiani, me zemër turku, personaliteti nuk qëndron në trup por në shpirt. Sipas tij, interesi individual dhe ai shoqëror janë paralele të njëri-tjetrit; individi i shërben idealit të shoqërisë në të cilën është arsimuar. Për Gokalpin feja është insititucion rregulldhënës i shoqërisë. Veprat kryesore të tij janë: Bazat e turqizmit (1923), Tradita turke (1923), Historia e qytetërimit turk (1926), Turqizimi, islamizimi-modernizimi (1929), Jeta e re (1930), Drita e artë (1927), Molla e kuqe (1928) etj.

Në këtë artikull do të japim një fragment – me disa shkurtime – nga vepra e tij Kultura dhe qytetërimi, përkthyer nga ne, që pritet që këtë vit të botohet nga Logos-A. Tema është “Kultura dhe politika”.

“Sipas Nietzsche-s, fuqia shtytëse e jetës është dëshira për pushtet (Wille zur Macht). Si individi, ashtu edhe shoqëria janë të prirura që t’i marrin nën trysni dhe mbizotërim qeniet tjera. Filozofi francez Alfred Fouillée këtë e quan vullnet të vetëdijes (Volonté de Conscience). Në çdo shoqëri ekzistojnë dy vullnete shoqërore, kultura dhe politika. Kultura, siç cek edhe Fouillée, ka të bëjë me vetëdijen, botëkuptimin, kurse politika, në përputhje me pikëpamjen e Nietzsche-s është dëshirë për pushtet. Kultura i përfshin pikëpamjet ideore, tërësinë e vlerave nga sfera emocionale. Kurse politika shenjon të gjitha preokupimet e një populli në rrafshin e praktikës. Roli i hulumtimit është që brenda vetëdijes tonë t’i përfshijë vetëm të vërtetat, kurse hulumtuesi nuk ka nevojë t’i fusë në dorë fuqitë që kanë të bëjnë me zbatimin. Detyrë e fushave aplikative është eliminimi i të këqijave brenda shoqërisë dhe zëvendësimi i tyre me të mira. (…)

Artisti bukuritë e përjetuara nga ai ua bën të ditura të tjerëve duke i përgatitur veprat e veta dhe duke ia prezantuar ato shoqërisë artistike. Individi i virtytshëm mirësitë e përjetuara i shpreh përmes moralit të rrugës që ndjek, kurse filozofi, të vërtetat e menduara i shfaq përmes librave të veta. Shoqëria është e lirë t’i pranojë ose jo të njëjtat. Kjo ngase artistët, heronjtë e etikës dhe filozofët janë vetëm dijetarë që i shprehin qëndrimet e veta. Këta, ndjenjat e veta mund t’ia propozojnë popullit, por të njëjtat nuk mund t’i imponojnë me zor… Nga ana tjetër, një kuvend ligjdhënës, nuk mjaftohet vetëm me sugjerimin në formë këshille të ligjeve të nxjerra; ai ka edhe fuqinë e detyrimit zyrtar.

Fuqi zyrtare graduale kanë edhe statutet dhe dispozitat e gjeneruara nga organet ekzekutive, si dhe urdhëresat. Pra, ne nuk jemi të lirë në aplikimin ose mosaplikimin e ligjeve dhe urdhëresave zyrtare. Liria jonë në këtë sferë është vetëm në rrafshin e të menduarit dhe në përpjekjen për t’i ndryshuar ato përmes organeve ligjvënëse dhe ekzekutive. Ligji duhet të respektohet derisa i njëjti nuk shfuqizohet. Ligjet nuk i janë lënë interpretimit të lirë të shoqërisë si mendimet filozofike, normat morale apo bukuritë e vlerave artistike. Në të vërtetë, në shoqëritë kushtetuese, populli nuk është i privuar tërësisht nga mundësia për t’i ndryshuar ligjet. Ai ka një fuqi shoqërore për t sukses në këtë drejtim: e drejta për të zgjedhur. Kjo është fuqi e një grupi të bashkuar nga populli në kuadër të ligjit për t’i marrë kompetencat ligjvënëse dhe ekzekutive të kombit. Zotërimi i këtyre kompetencave prej një grupi të popullit është i drejtë vetëm nëse shërben për të bërë ligje të mira dhe për të themeluar një qeverisje të të drejtë. Këtij grupi të formuar në bazë të kompetencave të dhëna nga ligji dhe që veprimtarinë e ka konform interesit kombëtar i themi parti ose “fuqi politike”. Aktivitetet e këtij grupi quhen “veprime  politike”.

Pushtetet zyrtare të një kombi shpërfaqen në tre institucione politike: sovrani, parlamenti dhe kabineti. Sundimi është pozitë e shenjtë që gjendet mbi përleshjet politike. Partia që e merr shumicën e votave në zgjedhje, bëhet dominante në parlament dhe e zotëron edhe kabinetin (qeveritar). Në sistemin parlamentar, formimi i qeverisë i takon partisë që arrin shumicën. Politika, në dukje, aplikohet përmes institucionve politike me karakter zyrtar, kurse në fakt zbatohet përmes fuqive politike me karakter jozyrtar. (…)

Kultura nuk mundohet as të sigurojë shumicë parlamentare e as ta shtie në dorë kabinetin. Kjo ngase për t’i bërë të pranueshme bukuritë që ndjen dhe të vërtetat që i mendon nuk ka nevojë për fuqi të tilla oficiale. Kultura, për t’iu dhënë vlerë produkteve të veta, nuk iu referohet fuqive detyruese siç janë ligjet. Ajo ka fuqi shpirtërore si bindja, paraqitja e gjërave si të këndshme, mbresëlënia. Për t’i bërë njerëzit ta memorizojnë një poezi të bukur nuk ka nevojë të bëhen ligje. Madje edhe nëse sillet një ligj që i dënon me vdekje njerëzit që e lexojnë atë, individët e apasionuar pas të bukurës, në mënyrë të pavetëdijshme; e memorizojnë atë duke e lexuar vazhdmisht. Vallë ia kanë dalë sistemet diktatoriale e despotike që përmes dënimeve të ashpra t’i ndalojnë njerëzit të mos i lexojnë librat stimuluese?” (vijon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button