Veleshta, aty ku mërgimtaret kthehen për të investuar

Fshati Veleshtë, ndodhet rreth 5 kilometra në veri të qytetit të Strugës, dhe është fshati
i cili sipas numrit të banorëve dhe të shtëpive, rradhitet i dyti me radhë në rrethinën e
Strugës. Në këtë fshat janë të regjistruar më shumë se 8000 banorë, nga të cilët 3700
jetojnë dhe veprojnë në mërgim në shtetet evropiane por edhe në Amerikë. Është
vendbanim në të cilin jetojnë banorë shqiptarë të cilët i përkasin besimit fetar Islam.

Në rrethinën e Strugës, ky fshat njihet si fshat në të cilin veprojnë më shumë biznese të
mesme dhe të vogla, si fshat i cili nuk dallon shumë nga një qytet pasi që siç theksojnë
edhe vet veleshtarët, në vendin e tyre mund të gjendet gjithçka që një banori i nevojitet
për jetën e përditshme, markete, kafeteri, shitore të teknikës së bardhë ndërsa edhe
ndërmarrje të mëdha për prodhim të granitit dhe mermerit, për riprodhim të drurit,
betonierë, mullinj, furra për prodhim të produkteve udhqimore nga brumi, pompa të
benzinës, kafeteri, restorante por edhe disa hotele luksoze me kapacitete të mëdha të
pushuesve.

Veleshta, mund të thuhet se është nga fshatrat e vetëm të kësaj rrethine në të cilin
veprojnë të gjitha këto lloje të ndërmarrjeve, të cilat nëse numërohen sigurt që kalojnë
numrin në më shumë se 100 veprimtari afariste të ndryshme, ndërsa numri i këtillë
është arritur edhe falë veleshtarëve të cilët për disa vite kanë punuar në mërgim dhe janë
rikthyer në vendlinje duke hapur bizneset e tyre me të cilat bëjnë shërbime dhe punë
profesioniste si në Evropë.

Njëri nga faktet të cilët banorët e Veleshtës i shqetëson, është ajo që edhe pas veprimit
të gjithë këtyre veprimtarive, nga të cilat derdhet fond i madh në buxhetin shtetëror,
duke bërë pagesën e tatimeve dhe obligimeve tjera ndaj shtetit, akoma fshati është pa
infrastrukturë rrugore dhe rrjetin e kanalizimit i cili është filluar shumë vite më parë por
ka mbetur pa u mbaruar, madje edhe duke shkatërruar edhe asfaltin i cili është investuar
nga xhepi i banorëve. Fshatarët vlerësojnë se gjendja e këtillë e infrastrukturës dëmton
makineritë e tyre, ndërsa në kohën e rreshjeve ujërat shkaktojnë katastrofë nëpër rrugë.

Ndërsa banorët theksojnë se edhe sistemin e ujit të pijshëm, energjinë elektrike dhe
telefonat janë investuar po ashtu nga buxheti i tyre.

Arsye tjetër shqetësuese për banorët është se në shkollën fillore të fshatit, numri aktual i
nxënësvce është 800, ndërsa para disa viteve ka qënë shumë më i madh, dhe pritet që në
vitet e ardhëshme, edhe për shkak të migrimit numri të zvogëlohet akoma më tepër.

Fshati ka dy xhami funksionale, në të cilat besimtarët zakonisht kryejnë pesë vatet e
faljes së namazit, në të cilat punojnë katër hoxhallarë të gjithë nga fshati, ndërsa për
dallim nga fshatrat tjerë, nga ky fshat aktualisht janë dhjetë hoxhallarë.

Në fshat me aktivitete të vazhdueshme funksionon Shoqëria kuturoro-artistike “Shpresa”,
e cila shpesh herë gjatë vitit merr pjesë edhe nëpër turne të ndryshëm edhe jashtë shtetit,
Klubi futbollistik “Veleshta” dhe Klubi i Karatesë “Kendo”. Ndërsa në nivel botëror ky
fshat përfaqësohet nga sportist mjaft të njohur si boksieri Nasi Hani.

Mikëpritja, zemërgjërësia dhe takimet e shpeshta nëpër oda të burrave janë tradita
karakteristike të këtij fshati, ku vite më parë, burrat velleshtar takoheshin shpeshë ppër
të biseduar dhe kuvenduar nëpër oda të shtëpive të tyre, ndërsa tani kjo thuajse nuk
praktikohet për shkak se vend takimi tani ndodhet nëpër kafeteritë e fshatit.

Veleshta në brendësi të saj ka edhe dy Rape, (pemë të mëdha dhe shumë vjeçare) të cilat
janë shumë të vjetra, por që kanë vendin e tyre në zakonest e fshatit pasi që nëpër dasma
gjatë marrjes së nuses, praktikohet edhe ndërrimi i rrugëve, pra kur shkohet për të marrë
nusen niset nga njëra rrugë, e cila kalon tek njëri prej rrapeve dhe pasi merret nusja,
kthimi i krushqive për në shtëpi, bëhet nga rruga tjetër ku kalohet edhe tek Rrapi tjetër.

Në mes të fshatit poashtu kalon edhe një lum i cili burimin e ka në fshtrat më të lartë, uji i
të cilit zakonisht shfrytëzohet për ujitjen e tokave bujqësore.

Fshati Veleshtë, po ashtu nihet edhe për humanizëm. Në fshat funksionon edhe shoqatë
humanitare e cila bashkë me përkrahjen e banorëve punon për të ndihmuar familjet më
të varfëra të vendit, sidomos gjatë festave më të shënuara, ndërsa kontribut i madh i
banorëve është bërë në dhënien e ndihmave edhe nëë zonën e karadakut, ku familjeve të
asaj ane u është ndihmuar në dhënien e bagëtive, mishit dhe udhqimeve tjera.

Meqënëse vetëm me një shkrim nuk mund të fliten të gjitha për Veleshtën, ne kësaj
radhe po e mbyllim pa i thënë të gjitha, dhe për të shkruar më tej për Veleshtën, por do
të theksojmë shqetësimin e banorëve veleshtar të cilët shpresojnë se migrimi i tepërt i
banorëve në shtetet evropiane dhe më gjërë do të ulet, dhe numri i nxënësve nëpër shkolla
dhe të rinjve do të fillojë që përsëri të jetë në rritje e sipër dhe jo siç është tani në ulje.

Lajme të ngjashme

Back to top button