Tregtia, tradhtia, Tetova…!

Shkak për këtë shkrim, të nderuar, u bë lajmi i sotëm (30.11.2012) i publikuar në portalin Portalb ( http://portalb.mk/12323-Pompat-e-benzines-vjedhin-karburant-dhe-shesin-benzine-te-perzier-me-uje ) me ç’rast thuhet që “Inspektorati i Tregut në Maqedoni ka zbuluar se dhjetëra pompa të benzinës kanë ofruar derivate jocilësore të naftës, të përziera me sasi të madhe të ujit dhe sulfurit, duke tejkaluar kufijtë e caktuar. Gjatë disa kontrolleve të kryera nga Tetovë, Gostivar, Strumicë, Radovish dhe Vallandovë janë zbuluar pompa të benzinës që kanë keqpërdorur qytetarët dhe kanë dëmtuar makinat e tyre përmes kësaj përzierje masive dhe të dëmshme të derivateve të naftës.

Inspektorati i Tregut ka zbuluar se shumica e pompave kanë vjedhur qytetarët edhe përmes numëratorit të aparatit, duke vjedhur një apo dy litra naftë, forma tjera të përzierjeve si dhe kanë shitur derivate me vetëm 90-94 oktanë, në vend të 98 oktanëve.” Duke pasur parasysh përbërjen etnike dhe religjioze të popullatës në Tetovë me rrethinë, del se shumica janë shqiptarë myslimanë, gjë me të cilën me sa duket, të gjithë krenohen, dhe pse të mos jetë ashtu? Në njërën anë, shqiptarët tradicionalisht njihen për besnikërinë, besën, fjalën e dhënë, mikpritjen, sinqeritetin dhe trimërinë; myslimanët po ashtu shquhen me vlerat më të larta njerëzore dhe kjo është dëshmuar gjithashtu, që në lashtësi. Por, me sa duket, në kohët moderne, gjërat kanë filluar të ndryshojnë, dhe ne, fatkeqësisht, jemi shndërruar në simbol të krimit të organizuar, korrupsionit, spiunimit, tradhtisë dhe tregtisë me hile dhe sherr.

Duke mos dashur t’i përgjithësoj gjërat (mbase këtu secili do ta gjejë veten e tij, në fund të fundit), kisha dashur të shtroj pyetjen retorike se sa do të ishin gjasat që hilexhinjtë e sipër-përmendur të mos jenë shqiptarë, aq më pak myslimanë? Të vogla, sepse ngado që të kthehesh sheh shqiptarë-myslimanë, të paktën në teori… Në anën tjetër, po të kishit vënë re sot dendësinë e miletit nëpër xhami (sepse është e premte, ende), do të ishit mahnitur me pjesëmarrjen e njerëzve në faljen e namazit të xhumasë, aq sa nuk kishte ku të hidhni as edhe një gjilpërë (gjë që megjithatë nuk ndodh ditët tjera…mbase njerëzit janë të zënë me punë sherri, me përzierje të benzinës a qumështit me ujë, të renditjes së specave të kalbur nën ata të shëndoshët, apo me korruptim të ndonjë profesori a arsimtari të gjorë për t’i shënuar notën bijës a birit të dikujt që mendon se me para mund të blejë gjithçka…

A mund të ma thotë dikush se prej nga duhet të ndodhë e tërë kjo? Mos ndoshta ashtu na kanë mësuar të parët tanë; apo ndoshta vallë e kemi amanet nga Pejgamberi Muhamed (s.a.v.s), ose nga libri i shenjtë, apo nga ligjëratat e hoxhallarëve e profesorëve…Mos ndoshta kështu na udhëzon Krijuesi??? Çfarë absurdi…!!! Jetojmë në një vend ku thirrja për lutje e falje, për bamirësi e mirësjellje, për sinqeritet e besnikëri, për dije e dituri, për ndihmë e mëshirë, dëgjohet pesë herë në ditë, nga të gjitha anët, e ne merremi me punë të pista të cilat nuk do t’i kishte menduar, lëre më t’i bëjë, as edhe vetë djalli…

Si mundemi t’ia tolerojmë vetes një gjë të tillë? A nuk e patëm mjaft duke na etiketuar si të pagdhendur, të paedukuar, të paemancipuar, të pashkolluar, të paditur, hajdutë, terroristë, kriminelë, aq sa edhe aktori i famshëm i Holivudit, Liam Neeson, nuk e pa të arsyeshme që ta lërë etiketimin e shqiptarëve me vetëm njërin film të tij, por nxori edhe pjesën e dytë (Taken 2)??? Turp prej turpi!!! Do të kisha dashur t’ua përkujtoj se “Sigurimi i jetës dhe fitimi i mjeteve për jetesë është një nga gjërat më të rëndësishme në të cilën na nxit feja jonë e pastër.

Allahu i Lartësuar thotë: “Ndërsa ditën e bëmë për gjallërim” (Nebe`ë, 11). Gjithashtu, thotë: “Ai (Allahu) e diti se nga ju do të ketë të sëmurë dhe të tjerë që gjallërojnë nëpër tokë duke kërkuar begatitë e Allahut dhe të tjerë që do të luftojnë në rrugën e Allahut”(Muzemil, 20). Tregtia është një nga profesionet më të hershme të njeriut, një nga mjetet për të siguruar jetesën. Në Islam, tregtia shihet si forma më e mirë e fitimit; dijetarët islamë nënvijëzojnë se është rruga kryesore në sigurimin e të ardhurave. Nga ana tjetër, Islami është fe e drejtësisë, mëshirës, tolerancës, çiltërsisë, besnikërisë, këshillimit, nderit, veçori këto që te myslimani nuk vërehen përpos se gjatë punës dhe raporteve me të tjerët. Kështu që, te myslimani, nëse një raport pune me njerëzit shpaloset me arrogancë, padrejtësi, gënjeshtra, tradhti, ligësi, dhe zili, atëherë ai gjendet larg çdo forme të Islamit. Një njeri i këtillë është mëkatar, ngrënës i pasurisë së të tjerëve pa të drejtë dhe, si i tillë, është i zhytur kokë e këmbë në mëkate.

Sa herë që në marrëdhëniet tregtare sundon shpirti Islam, përhapet dashuria, vëllazëria, bashkëpunimi mes tyre dhe mëshira e Allahut i kaplon, prej nga edhe vjen begatia nëpër shtëpitë e tyre dhe ata do të jetojnë në qetësi, paqe dhe siguri. Prandaj, tregtarët është e domosdoshme të kenë parasysh dispozitat dhe këshillat të cilave duhet t’u përmbahen gjatë marrëdhënieve me njerëzit, pastaj të njihen edhe me gjërat e ndaluara, nga të cilat duhet të largohen, duke shpalosur kësisoj gjatë punës së tyre moralin e lartë Islam.”

(http://www.islamifejaevertete.com) Vetëm përmes këtyre dispozitave dhe urdhëresave do të mundemi të ecim përpara, të shënojmë prosperitet, sukses, pasuri dhe lumturi. Ndryshe, do të jemi të destinuar të dështojmë dhe përfundimisht të vetë-shkatërrohemi.

Kujtim Ramadani
Profesor në UEJL

Lajme të ngjashme

Back to top button